Stefano Pioli, trajneri i kuqezinjve, u intervistua nga “Sky Sport” me rastin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve të “Pankinës së Artë” për sezonin 2018-2019. Këto janë deklaratat e tij:
Mbi Gian Piero Gasperini – “Unë mendoj se e ka merituar gjerësisht këtë çmim. Eshtë diçka e rëndësishme ajo që po bën me Atalanta. Unë kam votuar për Sinisa Mihajlovic, si nga pikëpamja teknike, si nga ajo morale. Kur mori përsipër Bologna, ai bëri një punë shumë të rëndësishme, duke ngritur fatin e një skuadre në vështirësi të mëdha. E vlerësoj shumë si po përballet në këto momente të vështira edhe në nivelin personal”.
Derbi kundër Interit – “Ndihem mirë këtu, por është normale që mendja të jetë diku tjetër. Është një javë e rëndësishme për ne. Shumë keq për ditën e djeshme, që nuk kemi arritur ta fitojmë ndeshjen. Tani jemi duke u përgatitur për një sfidë të rëndësishme dhe të vështirë”.
Barazimi me Veronën– “Kemi treguar shumë bujari dhe gatishmëri, nuk ka pengje dhe dyshime mbi dëshirën e ekipit për të fituar. Mund të përballemi më mirë në pjesën e fundit të lojës. Kishim mundësi objektive për ta fituar atë ndeshje”.
Mbi Interin e Antonio Conte – “Është një ekip solid, kompakt, i fortë në të gjitha repartet. Pati disa vështirësi në kampionat, por fitorja e djeshme e mban në krye të renditjes, me Juventusin dhe Lazio. Ne duhet të përgatitemi mirë. Në kësi lojërash nuk llogariten vlerat e treguara deri më tani, as renditja. Duhet të bëjmë çmos për t’u paraqitur sa më mirë në këtë derbi”.
Varësia e Milanit nga Ibrahimovic – “Është e qartë se sa më pak të jesh i varur nga një lojtar i vetëm, aq më shumë ke mundësinë e ekuilibrit të duhur dhe avantazheve në situata të tjera. Por, është e pashmangshme që kampionët t’i japin skuadrës një shans të performojë më mirë. Sikur të largoja Romelu Lukakun nga Interi, Ciro Immobile nga Lazio, Cristiano Ronaldo nga Juventusi apo Edin Dzeko nga Roma…. Për ne, Zlatan është një referencë e rëndësishme, por skuadra po përpiqet të rritet. Ne kemi bërë paraqitje të rëndësishme, me cilësi dhe intensitetin e duhur. Duhet ta fillojmë nga kjo. Ai kishte lodhje, gjendje të komplikuar nga gripi. Tani kjo situatë ka kaluar, shpresojmë se mund të jetë në fushë të dielën e ardhshme”.
Daniel Maldini – “Ai është një djalosh i talentuar, me teknikë të mire, luan me të dyja këmbët. Një lojtar i ri me shpresa të mira. Debutimi i djeshëm të mund të jetë fillimi i një gjëje më të rëndësishme për të”.
Kupat e Europës – “Duhet të jetë qëllimi kryesor për një klub si Milani. Garat europiane kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë së këtij klubi prestigjioz. Kemi ndeshje të mëdha në horizont, duhet të jemi të përqendruar në punën tonë të përditshme. Le të përpiqemi të përballemi me të gjitha ndeshjet e ardhshme sikur të ishin finale. Renditja është e ngushtë, kampionati i ndërlikuar dhe konkurrues, fitorja është e vështirë, kështu që duhet të bësh paraqitje të rëndësishme”.