Kur kanë kaluar dy javë nga grabitja në zonën e Allias në Tiranë, ku mbetën të plagosur çifti i bashkëshortëve Afërdita dhe Petrit Laze, Policia e Tiranës ka mundur të arrestojë njërin prej autorëve.
Në pranga ka rënë 28-vjeçari Fatjon Mërtënika, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa në kërkim është bashkëpunëtori i tij me iniciale M.C., edhe ky i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe vjedhje.
Gjatë operacionit të koduar “Mjegulla”, blutë e Tiranës kanë zbardhur të gjithë dinamikën e krimit. Uniformat blu kanë gjetur dy armët e zjarrit, një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat dyshohet se janë përdorur në grabitje. Armët u gjetën të fshehura 1 kilometër larg banesës së çiftit Laze.
Përveç armëve, u sekuestruan edhe një maskë, municione luftarake, fashita plastike dhe sende të tjera.
I arrestuari akuzohet për vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë me pasojë plagosjen, dhe armëmbajtje pa leje. Dënimi për këto vepra penale parashikohet deri në 15 vite burgim.
Çifti Laze mbeti i plagosur me armë gjatë tentativës së grabitjes në vilën e tyre në zonën e Alliasit. Dy grabitësit e maskuar u ngjitën në katin e dytë të banesës, por pasi u pikasën nga familjarët, ata qëlluan mbi bashkëshortët Afërdita dhe Petrit Laze.