Said Chabane, presidenti 55-vjeçar i Angers, ka përfunduar në paraburgim në stacionin e policisë, këtë mëngjes, për t’iu përgjigjur akuzave për ngacmim seksual dhe po merret në pyetje nga hetuesit e çështjes.
Sipas shtypit francez, gjithçka ka ardhur nga një ankesë e paraqitur nga një punonjëseje e klubit të Ligue 1 më 7 janar, ku me hapjen e hetimit, policia ka marrë në pyetje edhe gra të tjerë. Dhe, të paktën dy prej tyre kanë konfirmuar që Chabane, president i Angers, i ka ngacmuar seksualisht që prej vitit 2011. Sipas asaj që raporton RMC, Chabane dyshohet se i “sulmonte” gratë, duke i prekur në vithe apo gjinj, pa pëlqimin e tyre.
Me një deklaratë zyrtare, Angers shpjegon se “Chabane i kundërshton zyrtarisht të gjitha akuzat e ngritura kundër tij dhe do të paraqesë para drejtësisë të gjithë elementët që lejojnë të rivendosin të vërtetën dhe të ruajnë nderin e tij. Presidenti është i vendosur të provojë pafajësinë e tij dhe beson në rezultatin e hetimit, për të cilin po bashkëpunon plotësisht”. E gjitha kjo ndodh, ndërsa në Francë prej ditësh po flitet për skandalin seksual që përfshin notin dhe patinazhin.