Kompetencat shtesë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që i lejojnë atij të pezullojë prokurorë dhe gjyqtarë, shkaktuan debat mes vetë deputetëve të shumicës socialiste në Komisionin e Ligjeve.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, shpjegoi në emër të Qeverisë se kjo ndërhyrje vjen për shkak të disa problemeve që janë vënë re me ligjet e Reformës në Drejtësi.
“Qartësimi i veprimeve dhe i masës që propozon inspektori i lartë i drejtësisë, garantojnë jo vetëm rikthimin e besimit te organet e drejtësisë, por garantojnë edhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Pasi do të jetë inspektori që do të vlerësojë nëse veprimet diskreditojnë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit deri sa të merret një vendim përfundimtar”, tha Gjonaj.
Kjo solli reagimin e ish-ministrit të Brendshëm, Fatimir Xhafaj, i cili ka qenë një prej hartuesve të reformës. Ai kërkoi që problemet me zbatimin e ligjit, të mos i faturohen ligjeve të reformës.
“Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe druaj që shpeshherë, paaftësinë tonë, ose problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i gjejmë te ligji në vetvete. Ka nevojë për një analizë të plotë, për të kuptuar çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë e nevojave që ka për t’u mbështetur me ndryshime në ligjet përkatëse. Sepse ndryshe ne mund të synojmë të vëmë vetulla mekanizmave të caktuar, apo institucioneve të sapongritura, por mund t’i prishim sytë reformës në drejtësi”, tha Xhafaj.
Ndërkohë, gjatë diskutimeve për ndryshimin e ligjit për betimet në Gjykatën Kushtetuese, socialistët hoqën dorë nga ndryshimi i nenit 2, që i jep ligjit fuqi prapavepruese, të paktën për sa kohë që ky ligj është dërguar për opinion në Komisionin ne Venecias.