Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka ngritur dyshime mbi rolin e Real Madridit, referuar vështirësive të Eden Hazard për t’u përshtatur në La Liga. Belgu siguroi një transferim ëndrrash te “Los Blancos”, nga Chelsea, qershorin e vitit të kaluar, për një tarifë të raportuar prej 100 milionë euro. Pasi u ngritën pikëpyetje mbi peshën e 29-vjeçarit në përgatitjet parasezonale, Hazard ka luftuar ta tregojë veten te Real Madridi deri më sot.
Tani është duke u rikuperuar nga një dëmtim në këmbë, ndërsa ka shënuar një gol dhe ka dhënë katër asiste në 13 paraqitjet e para për klubin e tij të ri. Pasi i ka parë mrekullitë e belgut në Premier League, Guardiola beson se cilësia e lojtarit nuk mund të vihet në dyshim, ndaj duhet parë mjedisi që ka gjetur te “Los Blancos”: “Nëse nuk po luan mirë, diçka po ndodh në Madrid, sepse ai është me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Ajo që pamë prej tij në Angli ishte e klasit botëror. Sidoqoftë, të gjithë e dinë se nevojitet një periudhë adaptimi, kur ndryshon kampionat në futboll”.
Zinedine Zidane është i etur për ta pasur në dispozicion sulmuesin belg në ndeshjet që vijnë, por ka treguar kujdes të madh, nuk po nxitohet me blerjen më të shtrenjtë të klubit. “Ne jemi të lumtur që e kemi Eden Hazard. Ai pati një dëmtim të keq dhe me kalimin e kohës është bërë më mirë, – tha Zidane të mërkurën. – Je jemi të lumtur që kemi një lojtar si Eden dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë sa më shumë gjatë shumë viteve që do të jetë me ne. Madridasit janë gjithashtu shumë të lumtur”.