Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 28-vjeçarin Aldorin Shehu, e cili tre ditë më parë refuzoi t’i ndalonte policive të 4 qyteteve me një ndjekje që nisi nga Korça dhe përfundoi në Elbasan, me 5 persona të plagosur, mes të cilëve edhe një punonjës policie si dhe tre automjete të përplasura.
Ndaj 28-vjeçarit, Prokuroria e Elbasanit ka ngritur akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit mbetur në tentativë”, “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e 5 personave” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.
Gjatë seancës, i pandehuri nuk dha asnjë deklarim, ndërsa avokati deklaroi se klienti i tij nuk kishte qëllim të vriste asnjë, por se nuk i ishte bindur urdhërave të policisë për të ndaluar për shkak se ishte i frikësuar.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata në fund pranoi kërkesën e prokurorisë duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Aldorin Shehun deri në përfundimin e plotë të hetimeve ndaj tij.