Performanca e pazakontë e qitësit të Turqisë, Yusuf Dikec në garën mikse me pistoletë ajrore 10 metra në Olimpiadën e Parisit ka mahnitur fansat dhe jo vetëm.
Të gjithë kanë mbetur të habitur dhe kanë reaguar me postime në rrjetet sociale pasi 51-vjeçari dhe partnerja e tij Sevval Ilayda Tarhan fituan medaljen e argjendtë.
Ishte qasja jokonvencionale e Dikec ndaj kompeticionit që e bëri atë viral në rrjet. Ai konkurron tepër i relaksuar, pa përdorur pajisjet tipike të qitjes dhe njërën dorë e mban në xhep.
Olimpiyat tarihinin en karizmatik olaylarından biri; Astsubay Kıdemli Başçavuş Yusuf Dikeç…
Hiçbir teçhizatı olmadan, bir eli cebinde atış yaparak Olimpiyat gümüş madalyasını Türkiye’ye getirdi.
Tabancasında ise Ay yıldızımız… pic.twitter.com/VmSkfN67UG
— Batuhan Çolak (@batuhancolak33) July 31, 2024
Shumica e qitësve në Lojërat Olimpike përdorin kufje për të mbrojtur veshët nga zhurma kur gjuajnë dhe vendosin syze të specializuara që errësojnë vizionin në njërin sy, në mënyrë që konkurrentët të mos kenë nevojë ta mbajnë të mbyllur dhe nganjëherë kanë lente të lyer për të ndihmuar me shkëlqimin.
Por në mungesë të gjithë këtyre elementëve në performancën e 51-vjeçarit turk, në rrjet nisi të ngrihej pyetja: “A dërgoi Turqia një vrasës me pagesë në Olimpiadë?”.
E vërteta është se për Dikec kjo ishte pjesëmarrja e tij e pestë në një Olimpiadë. Ai bëri debutimin e tij në vitin 2008, kur eventi sportiv u mbajt në Pekin, por fitorja e argjendit të Paris është medalja e tij e parë olimpike.
Gjatë karrierës së tij të gjatë prej më shumë se dy dekadash, Dikec ka fituar medalje të shumta ari në Kampionatin Botëror të ISSF, Kupën Botërore të ISSF, Kampionatin Evropian dhe Lojërat Evropiane.
Ai studioi në Shkollën e Trajnimit Fizik dhe Edukimit të Universitetit Gazi në Ankara dhe më vonë kreu një master në Universitetin Selcuk në Konya.