Largimi i Ben Blushit nga politika ka marrë sot të gjithë vëmendjen mediatike.
Jo vetëm se politikës i largohet një politikan cilësor, por edhe prej mënyrës se si iku.
Blushi për dështimin e tij në politikë me një stil konician ia vuri fajin edhe shqiptarëve.
“Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes se të nesërmes. E vjetra i qetëson, e reja i shqetëson. Atë që ishte e çmojnë, atë që vjen e nënçmojnë. Unë e kuptoj këtë zakon, pavarësisht se nuk e mirëkuptoj.
Shqiptarët duan të jenë gjithnjë me të fortët dhe jo me të drejtët, duke menduar se çka është e fortë është edhe e drejtë dhe çka është e drejtë është gjithnjë e dobët.
Zgjedhjet e fundit ishin një zhgënjim për mua kur pashë se si shumë qytete votuan banditët dhe grabitësit duke u krenuar me zgjedhjen e tyre.
Nuk më ka habitur kurrë aftësia e vendit tonë për të prodhuar njerëz të ligj, por nevoja për ti mbrojtur ata me vota më shqetëson”, theksonte Blushi në letrën e tij të lamtumirës.
Por këtë mënyrë largimi të Blushit e kanë kritikuar dy nga analistët kryesorë te medias shqiptare, Mero Baze, një kritikues i hidhur i Blushit, dhe Andi Bushati, një mik i hershëm i Blushit.
Ndërsa një tjetër mendim ka Astrit Patozi, një ish-rival i denjë i Ben Blushit.
Por le ti marrim me radhë.
Mero Baze ishte i pari që analizoi largimin e Blushit nga politika.
Në një editorial në gazetën TemA, Baze i kujton që zemërimi i tij me popullin është i njëjtë me të gjithë politikanët që kanë dështuar.
E ndërsa vë në dukje se Blushi nuk është një politikan i ri, por dinosaurët e politikës, Baze thekson:
Gabimi i Ben Blushit nuk është se tentoi të krijojë një parti të re, por ideja fikse që ai ka për veten, se është politikan i ri. Shqiptarët e panë Ben Blushin si dikush që u largua pas 20 vitesh debutimi në Partinë Socialiste për të bërë diçka të vetën. Nuk e panë kurrë ashtu si ai e shikonte veten në pasqyrë si “politikan i ri”. Më keq akoma, ata patën rastin ta shikojnë si politikan të vogël, si një mishërim i gjithë të këqijave të liderëve të mëdhenj historik, si intolerant, përçarës, njeri të vogël, pa ide organizimi dhe drejtimi. Për ato çfarë ai thoshte se po luftonte për vite të tëra në PS, i hodhi poshtë me gjestet e tij ndaj Hafizit, brenda gjashtë muajsh, duke e bërë krijesën e tij, partinë më qesharake në vend, shumë më banale nga ato që ai ka tallur.
Duke përdorur ironinë, Baze thotë se problemi i Blushit është se ngatërron letërsinë me politikën, dhe mendon se populli u ngjan personazheve në libër, që mund t’i bësh si të duash ti.
Në fund, Baze thotë se Blushi është një individ që mund t’i vlejë dhe më tej shoqërisë shqiptare.
“Nuk mund të kishte partinë e tij, se nuk dinte ta bënte atë punë. Ky nuk është fundi i botës. Për më tepër, nuk është faji i popullit. Kur populli nuk të kupton apo nuk e bind dot, nuk mund të ndërrojmë popullin dhe të sjellim një popull tjetër me të cilin e ke më të lehtë. Duhet të gjejmë dikë të tjetër, që bindë popullin të ndryshojë. Dhe në këtë pikë, rasti i Ben Blushit vlen edhe si një histori politike e dështuar. Vlen për të kuptuar se si nuk duhet të sillesh me njerëzit, me partinë dhe më tej akoma, me shoqërinë”, mbyll shkrimin e tij Baze.
Por ai e kundërshton Blushi për “fajësimin e popullit”.
“Ndryshe nga Blushi, unë bëj pjesë tek ata që nuk i kërkojnë rrënjët e këtij dështimi në popull. Jo, unë nuk besoj se ne kemi të tërë vesin e rendjes pas më të fortit, nënçmimin ndaj të ardhmes, përbuzjen ndaj të resë dhe zhvlerësimin ndaj të drejtës që mbetet gjithnjë më e dobët”, shkruan Bushati.
Bushati e gjen “fajtorin” e dështimit të Blushit tek ata që i cilëson “trupa të ndërmjetëm” që janë vendosur si një tavan i xhamtë mes një klase politike të korruptuar dhe një elektorati të çoroditur
“Analiza e mos triumfit të një modeli të ri është më e thellë dhe më komplekse. Ai nuk duhet kërkuar thjeshtë tek votuesit. Por tek ata “trupa të ndërmjetëm” që janë vendosur si një tavan i xhamtë mes një klase politike të korruptuar dhe një elektorati të çoroditur.
“Faji” se përse Libra (ose edhe të ngjashme me të) nuk hyri në parlament, nuk duhet kërkuar tek njerëzit. Por tek një kastë e përbërë nga mediat e regjimit që duan dëshpërimisht status quo-në, nga biznesmenë të mëdhenj një ndihen më rehat me politikanët që tashmë i kanë korruptuar, me shoqërinë civile që është kapur dhe atrofizuar, me individët me impakt publik që janë zhveshur tashmë nga çdo aspiratë.
Është pikërisht mungesa ose pasiviteti i kësaj elite që e bën të pamundur që një demokraci të funksionojë realisht. Dhe në një demokraci që nuk funksionon, zgjedhjet janë thjesht një farsë.
Pikërisht kjo kastë u vendos si një digë mes LIBRA-s dhe elektoratit”, thekson Bushati.
Ndërsa ish-rivali i Blushit, Astrit Patozi që e sheh në një tjetër këndvështrim vendimin e Blushit.
Patozi thotë se edhe largimi i Blushit ka një anë pozitive.
Sipas tij ai tregon kalbësinë ku është futur politika shqiptare.
“Natyrisht ikja, qoftë edhe e përkohshme, e Blushit nga politika nuk është një lajm i mirë për këtë shoqëri. Por si çdo e keqe që nuk vjen vetëm për keq, ajo mund të shërbejë edhe si moment reflektimi për këdo, për të parë më mirë se ku jemi katandisur.
LIBRA ishte përpjekja e parë serioze për të goditur drejtpërdrejt sistemin tonë të kalbur politik dhe jam shumë i sigurt që nuk do të jetë e fundit.
Sipas meje, ajo meriton respekt dhe vlerësim edhe pse nuk arriti të çojë në parlament asnjë deputet. Por ndoshta më mirë, se ky parlament është më domethënës dhe më kuptimplotë pa zërin e Ben Blushit. Sepse është pasqyra më e qartë e kalbëzimit të partive tona kryesore, të cilat sot dallojnë nga njëra-tjetra vetëm nga pozicioni që kanë në raport me tepsinë”,thekson Patozi. /American Eye