Kryetari i Partisë LIBRA, Ben Blushi ka përjashtuar mundësinë e një bashkimi me LSI-në nëse kjo e fundit del në zgjedhje e vetme dhe jo në koalicion me PS-në.
“Që ditën e parë që jemi mbledhur, vendimi i parë që kemi marrë, ka qenë për vendime në grup. Unë personalisht dua të dalim në zgjedhje vetëm, por nëse grupi vendos të kundërtën unë do i nënshtrohem vendimit të tyre”, ka deklaruar Blushi në studion e “Opinion”, duke theksuar edhe një herë disavantazhet që kanë partitë e vogla që dalin në zgjedhje jashtë koalicioneve.
“Partitë e vogla zgjedhin t’i bashkohen të mëdhave, sepse sot i tillë është sistemi…”, thotë Blushi.
I pyetur nëse grupimi i tij partiak vendoste të bashkohen në koalicion me PS-në, Ben Blushi ka thënë se do e respektonte vendimin e anëtarëve, por do të merrte një vendim personal, duke lënë të kuptohet se do të largohej edhe nga LIBRA nëse hipotetikisht ndodh bashkimi me partinë e Edi Ramës.
Blushi tha se militantë të PS-së e kanë sulmuar dhe pothuajse edhe fizikisht, duke shtuar se “partia që kisha 20 vjet, Edi Rama, doli dhe u dha të drejtë atyre”.
Ai tregoi se pas dy muajsh, thashë se Elvis Roshi është një njeri i papërshtatshëm, duhet të lërë detyrën.
“Edi Rama, partia ku isha për njëzet vjet, doli dhe mbrojti Elvis Roshin. Ku të kthehem me këta njerëz?”.