Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se është “i tronditur” për informacionet që i vijnë nga Afrika. Në një intervistë për DW, Juncker thotë se Evropa nuk duhet ta mbyllë gojën përballë “problemeve të pabesueshme, të cilat vijnë nga një shekull tjetër. Afrika e njeh mirë problemin e skllavërisë”.
Juncker foli për një “dramë të përditshme për shumë njerëz – fëmijë, gra dhe burra, në Libi”.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker përsëriti kërkesën për të krijuar mundësi për emigrim legal.
“Besoj se pa rrugë legale emigrimi për në Evropë dhe brenda Evropës ne jemi të humbur. Nëse ata, që mbërrijnë këtu të palumtur nuk do të mund të hyjnë nga dera e shtëpisë, ata do të vazhdojnë të përpiqen nga dera e pasme. Prandaj na duhen rrugë legale dhe Komisioni ka bërë tashmë propozime. Evropa ka nevojë për migrim në dekadat e ardhshme”, tha Juncker.