Politika A do jetë aktivisti për Teatrin në listën e PD-së?

A do jetë aktivisti për Teatrin në listën e PD-së?

Partia Demokratike është sot në ethet e përpilimit përfundimtar të listave të kandidatëve për deputetë. Kryetari i saj Lulzim Basha është nën presionin për të bërë një listë përfaqësuese ku përveç figurave të zgjedhura nga baza e partisë do të bëjnë pjesë aleatët e saj dhe grupet e interesit që kanë mbështetur kauzën opozitare në këto 8 vite.

Një nga këto grupime është dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e cila arriti të firmosë dhe një kontratë paraprake me Bashën ku mori premtimin se nëse PD do të vijë në pushtet do të anulojë planin e shembjes së godinës 1-shekullore, kontratë kjo që pas shembjes së teatrit u kthye në premtim për ta rindërtuar atë siç ishte në vendin ku ishte.

Gentian Gaba, një nga aktivistët e Lëvizjes për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, është filmuar sot duke u futur në selinë e Partisë Demokratike, pikërisht gjatë orëve të paradites kur Basha po takon çdo pretendent për të qenë kandidat nën siglën e kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit.

Gaba, i njohur si analist në median e shkruar dhe ekspert i PR-it, prej vitesh është aktivizuar pranë PD-së. Ai ishte protagonist i protestës 2-vjeçare për Teatrin.

Prezenca e tij sot në selinë e PD-së duket se ka lidhje me hartimin e listës përfundimtare të listës së kandidatëve e cila do të dorëzohet sot në darkë pranë KQZ-së.