Pas zërave se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman mund të blejë klubin e futbollit të Manchester United, ka ardhur reagimi i parë.
Familja mbretërore saudite mohon një gjë të tillë, duke thënë se Princi i Kurorës nuk ka bërë asnjë ofertë.
Reagimi erdhi nga ministri për Mediat i Mbretërisë, i cili në një postim në Twitter tha: “Raportimet që pretendojnë se Princi i Kurorës Mohammad bin Salman synon të blejë Manchester United janë krejtësisht të rreme”.
Lajmi për blerjen e Manchester United nga princi i Arabisë qarkulloi me shpejtësi në mediat britanike, pasi pronarët e klubit ishin parë në Arabinë Saudite. Madje u përfol edhe shifra për sa do të shitej Manchester United, rreth 3.8 miliardë Paund.
Lidhur me vizitën në Arabi të pronarëve të Manchester, ministri saudit pohoi se ata kanë pasur takim me Princin e Kurorës, jo për të shitur klubin, por për të diskutuar mundësinë e sponsorizimit. Deri tani nuk ka asnjë marrëveshje konkrete.