Duke ia hedhur fajin drejtpërdrejt Kosovës, përgjigja e SHBA-së ndaj dhunës së fundit në veri shënon një largim të madh nga politika e kahershme. Një politikë e tillë nuk është as e drejtë dhe as e mençur.
Nga Dean B. Pineles
Si një ish-gjyqtar amerikan me misionin e Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kam ndjekur nga afër raportet e mediave në lidhje me trazirat e fundit në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë fajësuar për protestat e dhunshme serbe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili autorizoi përdorimin e policëve në fund të majit për t’i shoqëruar kryetarët shqiptarë etnikë të zgjedhur së fundmi në ndërtesat komunale në katër komunat me shumicë serbe, duke përdorur forcën nëse do të ishte e nevojshme.
Ky vendim u bë pa konsultim paraprak me zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së, dhe pavarësisht këshillave të dhëna më 18 maj nga vendet e Kuintit – SHBA, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe – për të mos u futur në ndërtesa nga frika e telasheve që mund të krijoheshin.
Vendimi i Kurtit është parë si një akt provokimi, si dhe një pengesë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja, të mbështetur nga SHBA, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Komuniteti ndërkombëtar është i indinjuar. Dhuna serbe që pasoi solli lëndimin e 30 anëtarëve të forcës paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, forca e së cilës ishte thirrur për të shuar dhunën, dhe rreth 50 civilë.
Situata është pasqyruar gjerësisht në shtypin amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u citua më 2 qershor në Wall Street Journal të thoshte: “Këto veprime nga Kosova i kanë përshkallëzuar ashpër dhe në mënyrë të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën.”
Në një artikull për Balkan Insight, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, citohet të ketë thënë se SHBA-ja “do t’i ndërpresë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar Kosovën në marrjen e njohjeve nga shtetet që nuk e kanë njohur atë dhe në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare.”
U shokova nga kjo bombë verbale.
“Carte Blanche” për Serbinë
Ndërkohë që Kurti mund të ndajë një pjesë të fajit duke u futur në një vorbull të parashikueshme serbe, është e paimagjinueshme që Hovenier në thelb do ta delegjitimonte Kosovën në sytë e botës pas mbi 20 vitesh mbështetje të fortë nga SHBA-ja.
Ndoshta një dashuri e ashpër ishte në rregull, por qëndrimi i Hovenier ka shkuar direkt në favor të Serbisë dhe Rusisë dhe u ka paraqitur atyre një fitore politike që ata nuk do të mund ta kishin arritur kurrë vetë, madje, as në ëndrrat e tyre më të çmendura.
Serbia është përfshirë në një fushatë çnjohjeje dhe de-ndërkombëtarizimit për vite me radhë në mbarë globin. Tani ajo ka një “carte blanche” për t’i vazhduar përpjekjet e saj.
Një tjetër sanksion i SHBA-së ishte t’i tërhiqte pas Kosovës ftesën për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake Defender 23′ ku përfshihen SHBA-ja, vendet e NATO-s dhe partnerët e saj. Kjo paraqet një goditje të madhe për aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.
Si arriti Kosova në këtë pozicion të rrezikshëm ku SHBA-ja, mbështetësi dhe mirëbërësi i saj kryesor, heziton të qortojë Serbinë, ndërsa në të njëjtën kohë kritikon dhe ndëshkon Kosovën?
Ngërçi në negociata
Gjatë 28 muajve të mi në Kosovë, midis viteve 2011 dhe 2013, kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për tensionin etnik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, veçanërisht në veri.
Në një rast në vitin 2012, më caktuan një rast në Mitrovicën e Veriut, ku SHBA-ja kishte financuar rindërtimin e gjykatës së OKB-së pas trazirave serbe në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Dy gjyqtarë të tjerë ndërkombëtarë dhe unë u mobilizuam në anën jugore të lumit Ibër, ku mblodhëm helmetat tona, jelekët antiplumb dhe maskat kundra gazit, më pas u grumbulluam në një automjet të blinduar për të shkuar në ndërtesën e gjykatës në anën veriore të lumit.
Gjykimi vazhdoi pa probleme dhe nuk pati incidente sigurie, por tensioni në ajër ishte i dukshëm. Duke qartë se kishte një armiqësi mes shqiptarëve që jetonin në jug të lumit dhe serbëve që jetonin në veri, pak më shumë se një dekadë pas luftës së viteve 1998-1999. Pyesja veten se çfarë do të sillte e ardhmja.
Që atëherë, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, duke filluar nga viti 2013 me marrëveshjen e Brukselit, e cila ndër të tjera parashikonte krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ASM.
Përpjekjet e mëvonshme deri vonë kanë dështuar kryesisht për një arsye ose një tjetër (shpesh për shkak të provokimit serb), pavarësisht një parade të vazhdueshme të liderëve shtetërorë, diplomatëve, ambasadorëve, ministrave, të dërguarve specialë, raportuesve, negociatorëve, delegacioneve të huaja dhe zyrtarëve të tjerë të ndryshëm, që të gjithë duke u përpjekur t’i pajtojnë të dyja palët.
Pika dominuese e ngërçit ka qenë gjithmonë themelimi i ASM-së dhe shtrirja e duhur e autoritetit të tij. Për Serbinë dhe serbët në veri, ASM-ja është sine qua non (parakusht) që i zbeh të gjitha problemet e tjera midis dy vendeve. Ata duan që ASM-së t’i jepet autoritet i gjerë dhe kompetenca ekzekutive.
Kosova ka refuzuar me vendosmëri të pajtohet me një Asociacion me fuqi gjithëpërfshirëse si një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Kohët e fundit, dialogu kishte filluar të dukej premtues me takimet dhe marrëveshjet dypalëshe mes kryeministrit Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel në muajin shkurt dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut në muajin mars. Pika 7 e marrëveshjes së arritur në Ohër parashikon themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, por si gjithmonë djalli fshihet në detaje dhe Kosova dhe Serbia mbeten ende shumë larg një marrëveshjeje.
Telashe serioze kishin lindur shumë kohë përpara këtyre takimeve. Nëntorin e kaluar pati trazira lidhur me targat e automjeteve, kur Kosova këmbënguli që banorët serbë në veri t’i ndërronin targat nga ato të lëshuara nga Serbia në ato të lëshuara nga Kosova, në përputhje me sovranitetin e Kosovës.
Por kjo shkaktoi trazira masive civile në mesin e serbëve, si dhe dorëheqjen e të gjithë zyrtarëve komunalë serbë në veri, si kryetarët e komunave, policë dhe të tjerë. Kjo dorëheqje masive i la pa qeverisje komunat në veri.
Gjatë këtyre trazirave, Vuçiçi vendosi ushtrinë serbe në gatishmëri të lartë, duke e përkeqësuar problemin siç e ka zakon gjithmonë.
Megjithatë, nën presionin e madh ndërkombëtar, Kosova u tërhoq dhe e shtyu zbatimin e regjimit të ri të targave. Serbët në një farë mënyre u liruan nga çdo përgjegjësi, edhe pse ishte e qartë se ata vepronin nën inkurajimin ose urdhrat e Beogradit.
Pra, çfarë duhej të bënte Kurti? Pavarësisht rezistencës së vazhdueshme serbe ndaj çdo përpjekjeje të Kosovës për të afirmuar autoritetin e saj të ligjshëm në komunat e tyre, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe Kosova duhej ta mbushte boshllëkun e lënë.
Kështu që autoritetet kosovare caktuan mbajtjen e zgjedhjeve në veri më 24 prill për të plotësuar pozitat vakante në përputhje me kërkesat ligjore, madje siç pranohet nga deklarata e Kuintit e përmendur më lartë. Mirëpo, përsëri, me shumë gjasë me urdhër nga Beogradi, serbët i bojkotuan zgjedhjet dhe më pak se katër për qind e votuesve me të drejtë vote morën pjesë në votime.
Ata që morën pjesë në votime votuan për tre kandidatë shqiptarë të Kosovës dhe për një kandidat boshnjak, duke krijuar një situatë dukshëm të paqëndrueshme. Serbët pothuajse nuk u kritikuan për mos pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Situata më pas shpërtheu. Pas betimit, kryetarët e komunave tentuan të futen në ndërtesat komunale për të filluar punën, duke kërkuar ndihmën e policisë së Kosovës, ndonjëherë duke përdorur forcë. Me sa duket, kryetarët e komunave duhej të punonin diku tjetër në vend të ndërtesave komunale, të cilat disi morën një rëndësi mitike.
Një gjë e tillë nxiti protestat e dhunshme të nacionalistëve serbë dhe bandave të supozuara kriminale siç e dëshmuam, disa me shkronjën “Z” të shkruar në rrobat e tyre si një gjest mbështetjeje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Paqeruajtës të KFOR-it dhe civilë u plagosën dhe Vuçiçi, gjithmonë i aftë për ta përkeqësuar situatën, e vendosi ushtrinë e tij në gjendje të lartë të gatishmërisë.
Kohët ndoshta po ndryshojnë
Për këtë situatë tani po fajësohet Kurti. Natyrisht, ai duhej ta kishte dëgjuar këshillën e Kuintit, pasi ajo këshillë ishte një paralajmërim i qartë se serbët do të gjenin një mënyrë për ta shfrytëzuar situatën dhe për të nxitur telashe, ashtu edhe siç ndodhi.
Por a duhet që Kosova tani të izolohet nga SHBA-ja, siç nënkuptohet nga deklarata e ambasadorit Hovenier, ndërsa serbët të lihen të lirë?
Gjatë kohës sime në Kosovë dhe që atëherë, gjithmonë kam pasur ndjenjën e fortë se vendi im, SHBA-ja, ishte një përkrahës i palëkundur i Kosovës.
Në fund të fundit, ky vend i vogël është një demokraci e pjekur në Ballkanin Perëndimor me një respekt për sundimin e ligjit pas masakrave të kryer nga Serbia gjatë luftës. Lufta la mbi 10,000 të vdekur, gra të panumërta të përdhunuara si armë lufte dhe rreth një milion refugjatë si rezultat i spastrimit etnik.
SHBA-ja udhëhoqi fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës dhe ndihmoi në rindërtimin e Kosovës më pas. Ajo gjithmonë ka ofruar burime të konsiderueshme financiare, zhvillimore dhe diplomatike. Dhe gjithmonë e ka mbështetur Kosovën në fitimin e njohjes nga vendet e tjera, tani mbi 100 të tillë, dhe i ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht nga përpjekjet e pandërprera të Serbisë për të bërë të kundërtën.
Dhe Kosova gjithmonë e ka treguar mirënjohjen e saj ekstreme për ndihmën dhe mbështetjen e Amerikës, si me fjalë ashtu edhe me vepra.
Për shembull, Kosova vazhdon ta mbajë bazën e madhe ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj. Dhe Kosova doli vullnetare për të strehuar qindra refugjatë afganë ndërsa ata po kontrollohen për qëllime sigurie, një program që është ende në progres.
Kosova ka hapur një ambasadë në Jerusalem sipas kërkesës së SHBA-së. Ajo ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e saj të paprovokuar me Ukrainën, ndërsa Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Rrugët në Prishtinë mbajnë emrat e disa heronjve amerikanë, si ish-sekretarja e shtetit Madeline Albright dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, dhe ekziston një statujë e madh i ish-presidentit Bill Clinton afër qendrës së qytetit. Flamujt amerikanë mund të shihen teksa valëviten në të gjithë Kosovën.
Dhe gjatë kësaj kohe, shumë serbë në veri, me besnikëri vetëm ndaj Beogradit, si dhe bandat e ndryshme të kriminelëve të organizuar, vazhdimisht kanë shkaktuar telashe, duke qenë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar virtualisht.
Kjo sekuencë e përgjithshme e ngjarjeve të fundit, përfshirë edhe deklaratat nënçmuese nga SHBA-ja, sugjeron se kohët mund të ndryshojnë. Mund të ndodhë që SHBA-ja tani të jetë më e prirur për ta qetësuar Serbinë, në mënyrë që ta inkurajojë atë të njëjtën të mos zhytet më tej në përqafimin destabilizues të Rusisë. Koha do ta tregojë.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës tani ka rënë dakord të mbajë zgjedhje të reja në veri, ndoshta diku gjatë kësaj vere. Kjo është një shenjë pozitive dhe ndoshta SHBA-ja do ta rishohë kontekstin historik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe do ta mirëpresë Kosovën përsëri në rrethin e saj./ BIRN