Ish-deputeti Vangjel Tavo ka reaguar të mërkurën në lidhje me një lajm të publikuar në median greke “Kathimerini”, se ka pasur një propozim nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar përkohësisht bashkinë e Himarës.
Tavo shprehet se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Sipas ish-deputetit të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (sot PL) një lajm i tillë ka qarkulluar dhe disa ditë më parë. Reagimin Vangjel Tavo e bëri për TCH.
Vangjel Tavo: Nuk kam asnjë informacion. E kam parë si lajm para ca ditësh nga po e njëjta gazetë dhe e shikoj përsëri sot. Faleminderit.
Çfarë shkroi “Kathimerini”?
Gazeta greke “Kathimerini” shkruante të mërkurën se ka pasur një takim mes Vangjel Tavos dhe kryeministrit Edi Rama për të drejtuar përkohësisht Bashkinë e Himarës, e cila vijon të jetë pa kryetar, pasi kryebashkiaku i zgjedhur i saj Fredi Beleri ndodhet në burg për shitblerje votash. Sipas medias greke, duke cituar burime pranë ish-deputetit, Tavo ka rënë parimisht dakord, por ka kërkuar që të merret edhe konsensusi i palës greke për këtë çështje.