Politika A do ta ndryshojë emrin e PD-së? Berisha: Nuk do e lëmë...

A do ta ndryshojë emrin e PD-së? Berisha: Nuk do e lëmë në dorë të Ramës

Grupi “Rithemelimit” mbajti kwtw pasdite e një takim me qytetarët e Kavajës. Edhe në këtë takim të turit “Opozita në Aksion”, Sali Berisha u tha qytetarëve se ajo që ata kanë nisur në Parlament është një betejë e shenjtë.

Sipas tij, nga bashkimi i demokratëve, ai që është trembur më shumë është kryeministri Edi Rama.

“Tani, me bashkimin e grupit parlamentar, ai mori goditjen më të paparashikuar dhe më të rëndë. Hodhi në aksion veprimet e tij më antikushtetuese. Veprimet e tij më antiopozitare. Shumëzoi me zero votën tuaj, shumëzoi me zero deputetët në parlament.”

Aksionin e nisur nga opozita për të mos lejuar zhvillimin e jetës parlamentare, Berisha e cilësoi si një “betejë epike për nderin dhe dinjitetin e qytetarëve”.

“…E ka përcaktuar Kushtetuta. Kushtetuta thotë se nëse ndodh, familjari humbet mandatin. Tani imagjinoni ku jemi ne? Na thotë merruni me filanin, me fistëkun, po jo me mua se jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën. Po këtë nuk mund ta pranojmë ne, se në momentin që e pranojmë këtë, ju kemi tradhtuar ju, tradhtojmë besimin tuaj, idealet tuaja. Ne nuk do e bëjmë kurrë dhe prandaj jemi ngritur në parlament dhe luftojmë dhe do luftojmë gjer në fund për të drejtat tona. Kjo është e vërteta për parlamentin.”

Ndërsa, sa i përket çështjeve të brendshme të Partisë Demokratike, kreu i Rithemelimit përsëriti edhe një herë se ndryshim të emrit nuk do të ketë.

Berisha shtoi se grupi i tij do të ndërrojë emrin kur ta shohë të arsyeshme dhe jo kur ta diktojë Edi Rama.

“Ky na mori emrin, na mori vulën. Ky njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit, që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin numra, për t’i denatyruar, për t’u shkatërruar identitetin, dhe ky thotë se nuk jeni ju PD. Miqtë e mi, me të drejtë mund të ketë pasur prej jush që kanë menduar, po ky pse nuk gjen emër tjetër? Emër tjetër?! Pse don Edi Rama të marrim emër tjetër. Jo mo, do përballemi me të ne. Sepse ne jemi në të drejtën e Zotit dhe nuk do pranojmë kurrë.”