Sport A do ta ndryshojë vendimin e Mbappé triumfi në Champions? Ai përgjigjet...

A do ta ndryshojë vendimin e Mbappé triumfi në Champions? Ai përgjigjet prerë: Jo, jo, jo

Kylian Mbappé ishte një nga protagonistët e mëdhenj të fitores 4-1 të PSG në fushën e Barcelonës. Një sukses që i mundësoi skuadrës pariziene të kualifikohej në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të vazhdonte ndjekjen e ëndrrës, për ta fituar për herë të parë këtë trofe.

Kapiteni i kombëtares franceze, i cili është i lidhur me Real Madridin për sezonin e ardhshëm (kur t’i përfundojë kontrata e tij me PSG), ka shënuar dy golat vendimtarë në pjesën e dytë.

I intervistuar në zonën miks të stadiumit, Mbappé iu përgjigj me një “Jo” të përsëritur tri herë pyetjes nëse triumfi i mundshëm në Ligën e Kampionëve mund ta modifikojë në ndonjë mënyrë atë që duket të jetë një vendim tashmë i marrë.

Më pas ai nënvizoi: “Ndihem krenar që jam te PSG, e kam pasur këtë ndjenjë që nga dita e parë. Krenaria e të luajturit për këtë klub, e përfaqësimit të klubit nga kryeqyteti i vendit tim, është diçka e veçantë për mua, sepse jam rritur në Paris. Ta përjetosh një natë si kjo si parizien është fantastike. Ne kemi bërë një hap tjetër, por duhet të qëndrojmë të qetë”.