Bota “A do ta pushtoni Ukrainën? Dhe pse?”, si i përgjigjet Putin pyetjes...

“A do ta pushtoni Ukrainën? Dhe pse?”, si i përgjigjet Putin pyetjes provokuese

Presidenti rus, Vladimir Putin, zbuloi për gazetarët përmbajtjen e bisedës virtuale me homologun amerikan, Joe Biden.

“Diskutuam për çështjet rajonale, konfliktin në juglindje të Ukrainës dhe çështjet e lidhura me të, që janë shumë të ndjeshme për ne. Folëm edhe për zgjerimin e NATO-s në lindje duke përdorur Ukrainën, mes të tjerave. Kjo është një pikë kyçe për sigurinë e Rusisë, atë afatmesme dhe strategjike. Flasim hapur për këtë gjë gjithmonë, duke paralajmëruar partnerët tanë se është e papranueshme për ne”, tha Putin në një konferencë për mediat pas takimit me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

“E folëm edhe një ditë më parë. Çdo shtet ka të drejtën të zgjedhë mënyrën më të përshtatshme për të siguruar veten. Por sigurisht që nuk duhet bërë duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Ramë dakord që do të vijojmë diskutimin dhe brenda javës do t’i dërgojmë amerikanëve propozimet tona”, shtoi Putin.

Putin e quajti provokuese pyetjen e gazetarit rus, Andrei Kolesnikov, nëse do ta pushtonte Ukrainën, apo jo. “Ne gjithmonë ndjekim rrugën e paqes në politikën e jashtme. Por Rusia ka të drejtë të sigurojë veten dhe këtë e diskutova edhe me Biden. Nuk mund të mos jemi të shqetësuar për mundësinë që Ukraina do t’i bashkohet NATO-s, sepse kjo do të bënte që trupa dhe baza ushtarake kërcënuese do të ishin pranë nesh”.

Propozimet ruse brenda javës

Por diskutimet online mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin për çështjen e Ukrainës duket se kanë qenë të frytshme. Këtë gjë e konfirmoi dhe Vladimir Putin.

Kreu i Kremlinit u shpreh se Rusia brenda javës do të dërgojë në Uashington propozimet e saj për zgjidhjen e situatës së tensionuar me Ukrainën, e cila prej disa kohësh është përshkallëzuar në pikën më superiore, sa të dyja vendet kanë dislokuar mijëra ushtarë në të dy anët e kufirit.

Lideri rus tregoi për gazetarët se bisedimet ishin të hapura dhe konstruktive dhe gjëja kryesore është se iu la hapësirë mundësisë për vijimin e dialogut.

“Ne nuk mund të mos shqetësohemi për perspektivën e mundshëm të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, sepse kjo padyshim do të pasohet nga vendosja e kontingjenteve ushtarake, bazave dhe armëve që na kërcënojnë”, tha ai.