Ndryshimet në Kryesinë e PD nëpërmjet zgjedhjeve me parimin një anëtar një votë janë komentuar nga analistët dhe politikanë që u zgjodhën dhe mbetën jashtë kësaj strukture në studion e “Open”.
Gazetari Enton Abilekaj tha se është shënuar një hapje historike e PD-së me këtë votim, por u ndal gjatë tek analiza për rezultatin, duke u kapur me një emër të veçantë, si ai i kritikut të Bashës, Tomor Alizoti.
Sipas Abilekajt ja vlen të përqendrohesh tek figura që mori më së shumti vota në këto zgjedhje brenda PD-së së drejtuar nga Basha, pasi fitorja e Alizotit mund të përkthehet edhe në një kërcënim për kreun e PD, pasi do të thotë që ka nga ata të cilët mendojnë se ka dështuar në drejtimin e kësaj force politike.
Por, Abilekaj shprehu ndër të tjera mendimin se PD-ja ka humbur me përzgjedhjen e disa emrave të rinj, të cilët nuk janë shquar për aktivizëm brenda radhëve të partisë, ndërkohë që janë lënë jashtë strukturave drejtuese edhe disa që kanë dhënë kontribute të spikatura.
Ndërkohë Besart Kadia, një nga emrat e rinj që Basha e ka integruar së fundmi në PD, e që doli humbës në zgjedhjet për Kryesinë, duket se ka ngelur i zhgënjyer nga rezultati në nivel personal, por edhe nga formati që kreu i PD po ndjek me figurat që po mbledh rreth vetes.
Kadia ka shprehur hapur kundërshtinë për zgjedhjen e Alizotit në Kryesi, madje është shprehur se diplomati i njohur në një të ardhme të afërt mund ta shfrytëzojë votën masive pro tij si mbështetje që i lejon komoditetin të sfidojë Bashën për postin e kryetarit.
“Nëse një kritik si Alizoti, i cili ka sulmuar kryetarin e PD-së specifikisht për diçka të caktuar në të kaluarën, del sot si personi më i votuar në parti, atëherë i bie që nesër ai ta konsiderojë veten si kandidati kryesor për të pasuar Bashën në udhëheqje”, tha Kadia.