Situata me COVID-19 në vend ka zhvendosur mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste për në muajin shtator.
“Partia Socialiste brenda shtatorit do ta mbledhë Asamblenë Kombëtare për të zgjedhur të gjitha institucionet e veta drejtuese, kryesinë e partisë, sekretariatin e partisë, sekretarin e përgjithshëm, sekretariatin ekzekutiv”, u shpreh Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i PS.
Në një intervistë për Euronews Albania, numri dy i socialistëve, nuk përjashton mundësinë e zhvillimit të Asamblesë online.
“Ne do të gjejmë modalitetet në instrumentet digjitale. Nuk mund të zhvillohet mbledhja e Asamblesë në një metodë tradicionale por do të zhvillojmë mbledhjen e Asamblesë në një komunikim i cili të respektojë normat statutor por edhe të respektojë detyrimin dhe masat anti COVID”, tha Balla.
I pyetur për ndryshimet e mundshme në qeveri kreu i Grupit Parlamentar të PS dha këtë përgjigje: “Një javë përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, Partia Socialiste do të mbledh ditën e martë në 1 shtator grupin parlamentar në qytetin e Elbasanit”.