Një gazetë e njohur turke publikoi një artikull duke analizuar mundësinë e shpërthimit të luftës midis Francës dhe Turqisë në Mesdheun lindor.
“Yeni Safak” citon disa faktorë që mund të çojnë në përdorimin e armëve. Një nga çështjet më shqetësuese për Turqinë dhe shpërthimi i mundshëm i luftës me Francën është se autoritetet qipriote greke kanë filluar kërkimin e gazit nga ndërmarrja shtetërore franceze e naftës dhe gazit – “Total” dhe ndërmarrja shtetërore e Italisë – “Eni”.
Turqia e konsideron këtë vendim të njëanshëm për të uzurpuar të drejtat e pjesës turke të Qipros dhe Turqisë. Më parë, qeveria turke njoftoi se nuk do të kthejë shpinën ndaj pjesës turke të Qipros dhe nuk do të heqë dorë nga “e drejta e saj natyrore në Mesdheun lindor”.
“Yeni Safak” beson se marrëveshja e zbulimit të gazit midis Qipros dhe Francës, e nënshkruar majin e kaluar, është “një pengesë e rrezikshme që ka një potencial të madh për të qenë shkak i konfliktit për forcat ushtarake”.
Në këtë kontekst, “Yeni Safak” shprehet se me marrëveshjen e nënshkruar në mes të majit nga Qipro dhe Franca, të dy vendet ranë dakord të bashkëpunojnë për kërkimin e gazit në “zonën e diskutuar në Mesdheun Lindor” dhe, nën të njëjtën marrëveshje, Franca u zotua t’i sigurojë Qipros një ndihmë ushtarake që i duhet nëse Turqia do të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak kundër saj.
Gazeta turke vëren se baza detare franceze në Qipro është një burim i “rrezikut në rritje”, por gjithashtu se Ankaraja është e vendosur të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në Mesdhe. Gazeta citoi një deklaratë të një analisti ushtarak turk, i cili tha se nëse “Total”-i i Francës do të fillonte një eksplorim në pjesën turke, “Turqia do të mbronte të drejtën e saj, madje edhe me koston e një përplasjeje me Marinën Franceze nëse kjo do të ndërhynte”.
Duke kujtuar se Turqia deri më tani ka përdorur vetëm “mjete diplomatike në mbrojtje të të drejtave të saj”, gazeta megjithatë thekson se Marina Turke është e gatshme të mbrojë interesat e Turqisë.