Zëvendës ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për emisionin Top Story gjatë vizitës në Shqipëri preku edhe temën e personave të shpallur ‘non grata’.
Sipas Escobar, i takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe të ndjekin penalisht persona të përfshirë me krimin.
Grida Duma: Të shpresojmë. Sa i përket përcaktimit non-grata, përcaktimit të shumë njerëzve nga pala europiane, ne kemi pyetur Bashkimin Europian, ç’është ky, le të themi, emërtim non-grata për ju, si e përfytyron Bashkimi Europian? Ka kaluar kohë dhe jemi në pritje të emrave të tjerë nga shkallët e larta të politikës. A ka ndonjë shans që të kemi edhe disa emra në Shqipëri për të parë vazhdimësinë e dorës së fortë të SHBA-ve? Sa i përket antikorrupsionit dhe ecjes përpara…
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko, kjo ka tre pjesë. Dua të them, para së gjithash, ne nuk i shfaqim paraprakisht veprimet tona për sanksionet, ndaj në fakt nuk mund të flas për këtë. Gjëja e dytë është se ne jemi shumë të përkushtuar për të përdorur çdo mjet që kemi, përfshirë sanksionet, për të luftuar korrupsionin në botë. Dhe në këtë pjesë të botës, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, korrupsioni është e vetmja çështje që përshkon të gjitha vendet e rajonit. Por së treti, e dini, marrëdhënia jonë me Shqipërinë nuk ka të bëjë me sanksionet. Marrëdhënia jonë është një partneritet i pjekur midis dy partnerëve të barabartë në një aleancë dhe në një partneritet strategjik dypalësh. Pra, a i ngelet në fakt Shteteve të Bashkuara të bëjë këto përcaktime? I takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden. Dhe kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse nuk na takon neve ta bëjmë këtë punë në emër të popullit shqiptar. Ata kanë aftësinë ta bëjnë vetë. Dhe këto qeveri dhe çdo qeveri, qoftë kjo apo pasardhësja e saj, ka një detyrim ndaj njerëzve që të sigurojë që kjo të ndodhë.