Presidenti Ilir Meta në një rrëfim në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë Blendi Fevziut ka folur për raportin me Kryeministrin Edi Rama.
Kreu i shtetit ka treguar nëse do të bashkëpunonte sërish me Edi Ramën në një kohë të dytë, pasi tani situata mes tyre është shumë e tensionuar.
Blendi Fevziu: A mund të ketë prapë një bashkëpunim mes jush?
Presidenti Ilir Meta: Mendoj që ka patur shumë arsye, në rast se do të vendosnim raportet personale si prioritare për të mos bashkëpunuar asnjëherë me zotin Rama prej gati 10 vitesh. Por, unë jam në politikë për të parë disa interesa shumë më të mëdha, të cilat për fat të keq zoti Rama nuk i shikon dhe nuk ndjen asnjë përgjegjësi për to, të cilat kanë të bëjnë me vendin dhe kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët shqiptarë.
Blendi Fevziu: Është Kryeministër në dy mandate dhe falë ndihmës suaj.
Presidenti Ilir Meta: Kjo nuk është një arsye për të mos e bërë përgjegjës për mosmbajtjen e gjithë atyre angazhimeve për të cilat ka marr edhe këto mandate, sidomos mandatin e parë në platformën e koalicionit për Shqipërinë europiane.