Vendet e bukura të Shqipërisë i shohim shpesh të postuara në rrjetet sociale të ambasadores Yuri Kim.
Vetëm me dy vite në Shqipëri, ajo thotë në intervistën me Erla Mëhillin se e dashuron këtë vend.
“Nuk njoh njeri që nuk është i dashuruar me Shqipërinë. Vërtet nuk kam takuar njeri që nuk largohet duke thënë, e dua këtë vend” – tha ambasadorja.
Kim nënvizoi udhëtimet dhe bisedat me njerëzit si faktorët kyç që e kanë bërë ta ketë përzemër Shqipërinë. Sipas saj takimet zyrtare si diplomate e kanë ndihmuar të njohë më shumë atë që mendojnë njerëzit vërtetë.
Ambasadorja u shpreh se nuk do të largohet herët nga këtu. Kim sqaroi se shefat në Uashington janë në dijeni se ajo ndihet e nderuar që përfaqëson SHBA-në në Shqipëri.
“Pres me kënaqësi të përvesh mëngët dhe të punoj më fort se kurrë më parë gjatë vitit që kemi përpara,” – deklaroi ambasadorja.
Diplomatja Kim nënvizoi potencialin në marrëdhënien Shqipëri-SHBA, ndërsa theksoi se pret me kënaqësi të vijojë me eksplorimin e vendit.