Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi sërish sot se nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri, ndërsa u shpreh se janë dyfishuar ekipet mjekësore në pikat kufitare për të bërë kontroll të pasagjerëve.
Lidhur me pyetjen nëse do të mbyllen kufijtë me Italinë, ku janë regjistruar mbi 160 të infektuar dhe 4 viktima, Manastirliu u shpreh se vendimet të tilla janë shumë drastike, ndërsa rekomandimet vijnë nga OBSH-ja.
“Është momenti të veprojmë në përgjegjësi duke garantuar shëndetin e qytetarëve, është i pari për ne. Burimet dhe kapacitet tona të shkojnë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve dhe vendimet do të jenë në orientuar në mbrojtje të tyre. Në varësi dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë do të marrim dhe masat përkatëse.
Për mbyllje dhe kufizime, unë bashkë me ekspertët ky proces po udhëhiqet nga ne në kuptimin politik dhe nga ekspertët e strukturave të policisë që vlerësojnë rrezikun dhe rekomandojnë masat. Sipas shkallës do të kenë dhe masa në qëllim të mbrojtjes së popullatës.
OBSH rekomandon që të shihet dhe vlerësohet mundësia hap pas hapi, por mbyllja e kufijve realizohet në një moment të caktuar kur kemi një situatë të epidemisë dhe përhapjes së gjerë. Në këto raste OBSH dhe siç po aplikohet në vende të tjera, nuk vendose masa agresive kombëtare, por izolohet lokalist rasti dhe më pas merren masa në zona specifike.
Dyfishim i ekipeve të shëndetësisë në pikate kufitarë për të patur një kontroll të rëndësishëm, për të marrë vendime të bazuara në evidenca”, tha Manastarliu.