Kryesore A do të mësojmë ndonjë gjë më shumë për Skënderbeun këtë vit...

A do të mësojmë ndonjë gjë më shumë për Skënderbeun këtë vit apo do të përsërisim formulimet e përjetshme?

Nga Artan Fuga

Epopeja e Skënderbeut na nderon si komb. Burra të zgjuar ata që e zgjuan nga kujtesa për të ndërtuar një shtet shqiptar e na dhënë identitet duke na quajtur stërnipër të Skënderbeut.

Jo të gjithë jemi stërnipër të tij, por ama një pjesë janë sigurisht. stërnipër të asaj kohe që nxorri Skënderbeun.

Nuk ishte kollaj për një bir feudali të vogël të kishte ndërgjegjen për të ikur nga oborri i Sulltanit në shekullin 15 dhe të vinte në vendlindjen e tij për të kërkuar pushtetin, autoritetin, pronën, reputacionin, legjitimitetin që mendonte se i takonte.

Duhej të kishe një ndërgjegje kombëtare, sado të shtrirë gjeografikisht, që ta tërhiqte drejt kësaj aventure heroike sepse po të ishte për pushtet e pasuri në përgjithësi nuk besoj se do të ishte më mirë në Krujë sesa në Stamboll.

Prandaj nuk mendoj se sikurse pretendojnë stalinistët që ndërgjegja kombëtare shqiptare është e shekullit të 19-të. Ajo daton në po atë shekull si edhe në shekujt që sollën ndërgjegjen kombëtare te protestantizmi gjerman gati gjysëm shekulli a më shumë më pas, të epokës të Princit të Makiavelit, më pas te racionalizimit kartezian që Dekarti e shkruan në frëngjisht.

Me Skënderbeun ne kemi të drejtë të jemi po aq ndofta edhe më të hershëm si identitet kolektiv laik.

Pasi themi këtë, nuk mund të mos pranojmë se historia e Skënderbeut ka pësuar sigurisht influencat dogmatike dhe ideologjike staliniane të totalitarizmit. Ka qenë e mbushur edhe me influenca fiksione nga filmi sovjeti, si edhe nga shkrime pa referenca të dokumentuara, apo nga gojëdhëna që nuk dihet nëse i takojnë historiografisë apo folklorit.

Unë nuk jam i sigurt që para sesa të vdiste Skënderbeu u tha shkopinjtë të afërmëve të tij për t’i thyer. Gojëdhanë që do të doja të ishte e vërtetë.

Këtë vit të Skënderbeut a do të dijë historiografia jonë të paraqesi ndonjë prurje të re për këtë figurë legjendare dhe themeluese të ndërgjegjes sonë kombëtare apo do të përsërisë ato që janë stërthënë. Sepse historiografia totalitare e dogmatizoi figurën e Skënderbeut dhe kjo duket në një farë politizimi të jetës dhe veprës së tij, duke e shkëputur atë nga konteksti ku jetonte Shqipëria në atë kohë ose përpara tij.

Unë nuk e di nëse e ka thënë apo jo Skënderbeu shprehjen se lirinë nuk e solla unë atë e gjeta midis jush. Nuk e di. Por, di që këtë na e kanë treguar si modesti të tij. Kurse unë them se nuk është modesti, por është e vërtetë. Liria, pra ndjenja kombëtare duhet të kishte gëluar në atë kohë ose edhe më parë sigurisht më përpara,: ndofta një shekull a dy, mos më parë në kishat shqiptare, në njerëzit e mësuar në vend, në ndërgjegjen dhe krenarinë e fisnikëve të mëdhenj shqiptarë që notonin midis Bizantit dhe shteteve përtej Adriatikut.

Kur Pal Ëngjëlli thërret në arbërishte formulën e pagëzimit, pra e fut në Kishë – kjo nuk është shakà, por tregon se pas kësaj ka një popullsi që ka dëshirë ta dëgjojë fjalën e Zotit në gjuhën e vet. Kush kupton këtë duhet të kuptojë shumë.

Mundet që historianët dinë por ne publiku nuk dimë gjëra veç elementëve politikë që historiografia e politizuar totalitare na ka dhënë, ajo dhe shtrirjet e saj në të sotmen.

Kush e ushqeu Skënderbeun atje larg me dashurinë për vendlindjen e tij. Kishte vallë ndonjë mësues? Në çfarë rrugësh e mori këtë dashuri jeniçeri i famshëm?

Çfarë kulture gjeti në vendlindje dhe rreth e rrotull midis popullsisë, elitave por edhe popullit të gjerë.

Çfarë kuptimi kishte për marrëdhëniet me Zotin, pra si besonte, ku falej, çfarë formimi fetar kishte marrë dhe ku? Sa ishte besimtar dhe sa nuk ishte?

Çfarë kulturash bujqësore dhe artizanale kishin paraardhësit tanë në atë kohë dhe në çfarë kuadri prodhonin? Nuk dihet se çfarë bëri ai në lidhjen me kontekstin ekonomik të vendit. Çfarë interesash kishte për të? Ku i prodhonin armët shqiptarët, lëndën që përdornin në beteja, si mjekoheshin, çfarë bestytnish kishin?

Si i mobilizonte, si i strukturonte ushtritë e tij, cilat ishin hierarkitë që përdorte?

Si ishte jeta e përditshme në kështjellën e tij, cfarë hante, si e zinte ditën, me çfarë vishej, cilat ishin ushqimet e tij të preferuara, ku e prodhonte verën që pine, por ai pinte?

Kishte hobi? Dilte për gjah?

Çfarë gjuhe fliste në kështjellë? Po me njerëzit e thjeshtë?

Si çdo fisnik a bënte gjyqe, a jepte drejtësi, bazuar në cilat ligje? Cilat kanune?

Çfarë këngësh këndoheshin për ta zbavitur?

Pa fund, pa fund njohuri.

Dikush mund të thotë:

Çfarë dashke ti, qiqra në hell. Jo, historiografia mesjetare europiane i trajton me shumë përparësi këto fusha. Mbretin, heroin, e sheh të lidhur me kulturën e vendit të tij, sheh në jetën e tij të përditshme jo gjithë ditën majë kalit.

Kurse historiografia totalitare ideologjike, fiksionet e frymëzuara prej saj, por edhe libra që më shumë janë romane sesa histori, gojëdhënat, më shumë japin prijësin që i shkëputur nga koha dhe vendi, si uragan i hypën kalit me 200 petrita dhe hap faqe të re për historinë. Më shumë krijohet imazhi i vetëtimës në qiell sesa i rrjedhës kohore të natyrshme.

Ja pra çfarë pyes veten: Do na japin ndonjë njohuri të re, apo përsëri një prijës betejash, në rrethim, me japmarrje me mbretëritë e vogla përtej Adriatikut dhe me papatin, mbi kalë që pret gjithë kohës koka turqish osmanë?

A do na e japin njeriun, shoqërinë, që ta forcojmë atë që dihet, të pakundërshtueshmen, që Skënderbeu është krenaria e identitetit tonë aq të ligjshëm?