Teksa numri i të vaksinuarve në vendin tonë po vjen gjithnjë e në rritje, një pyetje që lind natyrshëm është nëse personat që kanë marrë vaksinën kineze dhe atë ruse, do të mund të lëviznin në vendet e Bashkimit Europian, në një kohë kur këto vaksina nuk kanë marrë ende autorizimin e EMA dhe OBSH. Pikërisht kësaj pyetje iu përgjigj këtë të mërkurë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo theksoi se deri më tani nuk ka asnjë kufizim nga BE sa i përket llojit të vaksinave për të hyrë në vendet e unionit.
“Deri më tani nuk ka asnjë vendim të marrë nga vendet anëtare të BE sa i përket llojeve të vaksinave dhe sesi mund të lëvizin qytetarët, bazuar në lloje të ndryshme vaksinash që janë marrë. Por ajo që dua të theksoj është që dhe nga informacionet e fundit që ne kemi, qoftë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, qoftë nga Agjencia Europiane e Barnave, është që janë duke u marrë në konsideratë edhe Sinovac dhe Sputnik për t’u vlerësuar nga EMA si vaksina për të marrë autorizimin emergjent të tregtimit dhe besoj do ketë një lajm të shpejtë, edhe sa i përket këtyre vaksinave. Por deri më tani, për të informuar edhe të gjithë qytetarët nuk ka asnjë kufizim të vendosur nga llojet e vaksinave për të hyrë në BE”.
Ndërsa Silva Bino shtoi se vaksina nuk është kushti i vetëm i vendosur për të lëvizur drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Vaksina nuk është kusht i vetëm. Vendet e Bashkimit Europian flasin për testim, apo nëse e ke kaluar virusin dhe e provon. Kanë disa elementë, nuk është vetëm vaksinimi. Pra edhe një person me test negativ mund të lëvizë në vendet e Bashkimit Europian”.