Kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes kancelarit gjerman Olaf Scholz iu bë një pyetje pikante lidhur me integrimin europian.
“Ukraina kërkon një procedurë të përshpejtuar për të hyrë në BE. Ajo ka edhe disa mbështetës në BE. Si do të ndiheshit nëse ata do të kenë sukses me këtë sepse ju prisni prej kohësh për të hyrë në BE”, pyeti gazetari.
Ndërkohë Rama vetë e pranoi se pyetja e ka vënë në pozitë sepse duhet të thotë të vërtetën. Sipas tij “nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar si funksionon BE” dhe shtoi se anëtarësimi i menjëhershëm i Ukrainës nuk mund të ndodhë.
Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare tha se edhe nëse ndodh dhe Ukraina anëtarësohet përpara, Shqipëria nuk do të bëhej “xheloze”.
“Pyetja se a ndjehem i shqetësuar që Ukraina mund të hyjë më shpejt në BE se sa ne që kemi kaq vite që presim, më vë pak në pozitë sepse duhet të them të vërtetën, apo jo? Unë më shumë jam i shqetësuar se mos Ukraina mendon me të vërtetë që mund të hyjë më shpejt në BE, jo se do hyjë më shpejt. Do u thosha atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën që të mos e përdorin Ukrainën për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionar nëpër instanca të ndryshme sepse nuk duhet shumë shkencë për ta kuptuar si funksionon BE dhe kjo nuk mund të ndodhë sipas meje. Megjithatë nëse do të ndodhte nuk do të bëheshim xhelozë që Ukraina do të hynte përpara”, u shpreh Rama.