Luiz Ejlli mohoi pretendimet se ai do të përfshihet në politikë. Në një intervistë për “Më lër të flas” me binjakët Veshaj, Luizi foli më konkretisht për këtë vendin.
“Unë i bëj thirrje çdo shqiptari që të votojë. Nëse nuk voton, hesht”, tha ai fillimisht.
“Erdhën nja tre (kandidatë të partive për të më kërkuar të përfshihem politikisht). Unë u thashë që ‘me sa di unë, kam fituar një spektakël dhe me sa po kuptoj, kam fituar zemrat e njerëzve me këtë show”, shtoi Luizi më tej.
“Nuk e shoh të përshtatshme që unë të përfshihem në politikë dhe të merrem me politikë.”
Lidhur me pjesëmarrjen në një takim elektoral të kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës, Luizi theksoi se e pati shprehur mirënjohjen për Benet Becin edhe kur ishte brenda shtëpisë së “Big Brother”, kur deklaroi se ishte i vetmi që i kishte hapur derën dhe e kishte ndihmuar kur kishte nevojë.
“Kam qenë brenda që në 24 dhjetor dhe nuk e kam pasur idenë për zgjedhjet dhe nuk e kam ditur kush ka qenë kandidat dhe për kë kandidon. Kur m’u kërkua të rrëfeja linjën e jetës, kam përmendur njerëzit që më kanë mbështetur,” përfundoi ai duke lënë të nënkuptuar se i është mirënjohës personit në fjalë.