Si takimi me eurodeputetët, ashtu edhe ai me zyrtarin e lartë të BE-së, Christian Danielsson, nuk ka lëkundur në qëndrimet e saj opozitën.
Pas një takimi përreth një orë e gjysmë pjesë e të cilit ishin krerët e partive opozitare, Lulzim Basha deklaroi: “Opozita sot ka pasur një mundësi tjetër jo thjesht dhe vetëm për të shprehur vendosmërinë e saj për ti qëndruar kësaj beteje por kemi shprehur dhe vendosmërinë tonë që jo thjesht të largohet Rama por të shembet ky sistem. Për të ndërtuar një sistem vlerash europiane në vend”.
Basha tha se opozita e konsideron regjimin e Edi Ramës të mbaruar, duke iu referuar si një kufomë që pret të kallet.
Kryeopozitari foli dhe për formulën e zgjidhjes.
“Formula e zgjidhjes është kjo: Regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën në të cilin do të ecet dhe opozita ka për detyre që këtë rrugë ta konkretizojë me vizionin që edhe në Shqipëri të fillojnë të ndërtohen ato institucione, ato praktika ku respektohen të drejtat e njeriut, nuk shkelen të drejtat e njeriut, ku qeveria dhe parlamenti”.
Ndërsa ndërkombëtarët duket se nuk kanë ndërmend të ndërmjetësojnë një dialog mes palëve politike në vend për zgjidhjen e krizës, është folur vazhdimisht që këtë rol mund ta bëjë Presidenti Ilir Meta.
I pyetur mbi këtë çështje, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi: “Nuk jam këtu për të bërë rolin e analistit, unë flas në bazë të fakteve, qëndrimeve. U kam shprehur qëndrimet e mia edhe në emër të gjithë aleatëve opozitarë për takimin që sapo kemi përfunduar. Pjesën tjetër le ta bëjnë analistët dhe gazetarët e lirë”.
Fjalën e tij Basha e mbylli me bindjen se ditë më të mira për Shqipërinë do të vinë.
Për këtë kërkoi edhe konfirmimin e aleates Kryemadhi e cila u shpreh: Patjetër që po!
Deklaratat u bënë pas takimit rreth 1 orë e gjysmë që përfaqësuesit e opozitës patën me Drejtorin e Përgjithshëm për politikat evropiane, fqinjësi dhe negocimet e zgjerimit, Christian Danielsson, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.
Ky i fundit më herët gjatë ditës pati takime dhe me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi