“Certifikata e gjelbër dixhitale”, prezantimin e së cilës Komisioni Europian planifikon të propozojë, synon kryesisht të lehtësojë lëvizjen e sigurt dhe të lirë brenda Bashkimit Evropian, tha zëdhënësi i Komisionit Europian Christian Wigand.
“Qëllimi i certifikatës dixhitale jeshile që ne planifikojmë të propozojmë këtë javë është të lehtësojë lëvizjen e sigurt dhe të lirë brenda BE, jo për të shtuar kufizime të reja ose për të ndaluar asgjë, por për t’i bërë gjërat më të thjeshta”, tha Wigand për një konferencë.
I pyetur nga gazetarët nëse një certifikatë dixhitale e udhëtimit të gjelbër do të ishte e nevojshme për shtetasit e vendeve të treta, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, Wigand tha se komisioni ishte “në kontakt me organet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë”.
“Është e rëndësishme të merren parasysh ndërveprueshmëria teknike dhe standardet ndërkombëtare, por, më lejoni ta përsëris: propozimi i pritur këtë javë është përqendruar në lëvizjen e lirë brenda BE”, shtoi ai.
Certifikatat dixhitale të gjelbërta, të cilat do të paraqiten nga Komisioni Europian në 17 mars, do t’i referohen lëvizjes së qytetarëve brenda BE-së, e cila duhet t’i ndihmojë ata të shkojnë në udhëtime biznesi dhe turistike në mënyrë të sigurt.
Sipas draft letrës diplomatike, në të cilën Financial Times kishte akses, sistemi i pasaportave COVID me siguri do të bazohet në tre kritere – një test negativ COVID-19, vaksinim dhe një sëmundje e kaluar.
Ambasadorët e BE diskutuan propozimin javën e kaluar, i cili duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe pyetja më e madhe ishte nëse pasaporta do të ishte e vlefshme për një vaksinë ruse dhe kineze që nuk ishte miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) por e përdor Hungaria dhe Republika Çeke, ndërkohë që Sllovakia ka filluar negociatat me Moskën për blerjen e vaksinës Sputnik V.