Në konferencën për shtyp, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse duhet të tërhiqet nga politika për shkak të rënies së popullaritetit të tij, bazuar edhe në sondazhet e një televizioni ku ai rezultonte ndër liderët për pak të pëlqyer me 90.7% vlerësim negativ.
Meta akuzoi Ramën se fshihet pas këtyre sondazheve, pasi sipas tij e ka sulmuar që ditën që la Presidencën, ndërsa i beson raportit me qytetarët dhe zgjedhjeve të ardhshme.
“Këto sondazhe janë të kombinuara edhe nga ata që financohen nga paratë e inceneratorëve këtë sondazh e ka shpallur Edi Rama që ditën që kam dalë nga presidenca. Rama e di shumë mirë që mbi 80% e Shqipërisë po zien nga padurimi që ta shporrë atë. Ai e di shumë mirë që nëse ka një forcë politike ku duart e tij priten shumë shpejt është Partia e Lirisë, se te të tjerat i ka futur duart. Parulla që të ikin këta, të vijnë të rinj si Veliaj dihet që vjen nga inceneratorët. Unë i besoj sondazhit të përditshëm që bëj në raport me qytetarët dhe atij të zgjedhjeve vendore ku Partia e Lirisë do të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm dhe do të japë kontribut të fitores së gjithë opozitës në rast se opozita e dëshiron këtë fitore. Nuk jam i shqetësuar për popullaritetin tim por për gjendje e rënduar vendit që vjen si rezultat i Ramës”.
I pyetur nëse do të mbështesë kandidatin e dalë nga primaret e Berishës ai tha: ”Do ti kërkojmë shqiptarëve të ndëshkojnë kandidatët e rilindjes për këtë shpërdorim total që kanë bërë. Ky është mesazhi jonë, sepse ndëshkimi është shumë i rëndësishëm edhe për atë që do të vijë nesër të opozitës. Mesazhi i Partisë së Lirisë është shumë i qartë ndëshkim për këtë katastrofë menaxhimi të rilindjes”.
Në konferencën e sotme Meta ngriti sërish shqetësimin e amnistisë fiskale ku i bëri thirrje qeverisë që të tërhiqet nga miratimi i saj. Po kështu ai foli edhe për mbrojtjen e shtresave ne nevojë sikundër Maqedonia e Veriut.