Extra A duhet t’i ngjallim virtualisht të vdekurit? (VIDEO)

A duhet t’i ngjallim virtualisht të vdekurit? (VIDEO)

Në vitin 2016, vajza shtatëvjeçare e Jang Ji-sung, Nayeon, vdiq nga një sëmundje e pashërueshme. Tre vjet më vonë, nëna nga Koreja e Jugut u ribashkua me Nayeon, në një botë virtuale.

Korporata e Transmetimit Munhëa publikoi në Youtube momente të këtij bashkimi, në dokumentarin “Takimi”.

Nëna qëndron para një ekrani të gjelbër, ndërsa mban pajisjen VR. Ajo dhe e bija flasin, ecin dorë për dore, madje bëjnë edhe një festë ditëlindjeje me tortë me qirinj.

Siç tregojnë edhe pamjet, ribashkimi është shumë emocional. Nëna qan, ndërsa pjesa tjetër e familjes – babai, vëllai dhe motra e Nayeon – e ndjekin nga distanca përvojën e saj virtuale.

Nëna e quan këtë përvojë realizimi i një ëndrre.

Për këtë projekt, siç raporton Futurism, ekipi i prodhimit ka punuar tetë muaj. Ata e projektuan parkun virtual sipas një të tilli që nëna dhe vajza e vizitonin shpesh dhe përdorën teknologjinë e kapjes së lëvizjeve për të regjistruar lëvizjet e një aktori fëmijë, që ata më vonë e përdorën si model për Nayeonin virtual.

Për ta përmbledhur, procesi mund të mos jetë i thjeshtë dhe produkti përfundimtar mund të mos jetë i përsosur, por ne tani kemi teknologjinë për të rikrijuar të vdekurit në VR – mjaft bindshëm sa për t’i bërë të përjetojnë emocione të forta të dashurit e tyre.

Por cilat janë implikimet? Është e pamundur të parashikohet.

Kjo mund të jetë një risi, që më vonë i jep mundësi dikujt tjetër të krijojë një platformë që lejon këdo të ngarkojë pamjet e një personi të vdekur dhe të bashkëveprojë me një version virtual të atij personi? Kur mund të ndodhë kjo? Mjaftojnë pak vite, në mos muaj.

Dhe çfarë lloj ndikimi do të ketë kjo në procesin e shërimit nga dhimbja që shkakton humbja e një njeriu të dashur? A do t’i ndihmojë njerëzit të shohin një person të dashur në VR, t’i japin aty edhe njëherë lamtumirën e fundit dhe të vazhdojnë jetën? Apo ekziston rreziku që të bëhen të varur nga një botë virtuale, duke kaluar gjithnjë e më shumë kohë në të dhe gjithnjë e më pak në atë reale?

Dhe a do të ndalet te teknologjia VR? Apo ky është vetëm hapi i parë drejt androideve i krijuar për të imituar të dashurit tanë të vdekur si në pamje ashtu edhe në personalitet, si në episodin “Mirror Black” Be Right Back?

Mesa duket, edhe këtu ka nevojë për rregullore. Në vend që t’u jepet hapësirë startup-eve t’i ofrojnë publikut mundësinë për të bashkëvepruar me versionet virtuale të të dashurve të tyre të vdekur – pa dyshim me një kosto – ndoshta do të ishte e domosdoshme t’u vihej në dispozicion kjo lloj teknologjie vetëm pasi gjendja e tyre të jetë vlerësuar nga një psikolog. Është e qartë se po hyjmë në një territor të ri, për të cilin ngrihen shumë pyetje, që duan përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur.