Nëse ecni rreth 8000 hapa një ose dy herë në javë, mund të reduktoni ndjeshëm rrezikun e vdekjes së hershme, sipas një studimi amerikan.
Ushtrimet janë të lidhura rregullisht me një rrezik më të ulët të vdekjes, por ky studim, i publikuar në revistën JAMA, shqyrtoi përfitimet shëndetësore të ecjes energjike vetëm disa ditë në javë. Studiuesit nga Universiteti i Kiotos dhe Universiteti i Kalifornisë analizuan të dhënat e mbledhura nga 3,100 të rritur amerikanë.
Çfarë tregoi studimi?
Rezultatet treguan se tek ata që ecnin 8000 hapa një ose dy ditë në javë, probabiliteti i vdekjes në një periudhë dhjetëvjeçare ishte 14.9 për qind më i ulët se në grupin që nuk e praktikonte. Tek njerëzit që ecnin 8000 hapa ose më shumë, tre deri në shtatë ditë në javë, rreziku i vdekshmërisë ishte gjithashtu më i ulët – 16.5 përqind. Pjesëmarrësit mbi 65 vjeç patën përfitimet më të mëdha shëndetësore nga ky lloj ecjeje.
Shkencëtarët kanë lidhur ecjen me rreth 8000 hapa në javë një ose më shumë herë me një rrezik të reduktuar të vdekjes nga çdo shkak, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare. “Këto rezultate sugjerojnë se individët mund të arrijnë përfitime të konsiderueshme shëndetësore duke ecur vetëm disa ditë në javë”.
3100 pjesëmarrës në studim
Hulumtimi përdori të dhëna nga viti 2005 dhe 2006 dhe përfshiu 3100 pjesëmarrës, dhe të dhënat mbi vdekshmërinë e tyre u ekzaminuan 10 vjet pas hulumtimit. Midis pjesëmarrësve të hulumtimit, 632 njerëz nuk ecën asnjë ditë të vetme në javë, 532 ecën rreth 8000 hapa një deri në dy ditë në javë dhe 1937 ecën po aq tre deri në shtatë ditë në javë.
Sipas klinikës Mayo, një amerikan mesatar ecën 3000 deri në 4000 hapa në ditë. Përveç kësaj, është treguar se ecja si një aktivitet i rregullt mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, obezitetit, diabetit, presionit të lartë të gjakut dhe depresionit.