Forcat Hapësinore të SHBA-së janë vënë në gatishmëri pas lajmeve se rrjeti satelitor i Elon Musk ‘Starlink’, mund të jetë shënjestra më e re e ushtrisë ruse.
Kështu raporton ABC News, pas deklaratave të publikuara në një faqe simotër të fraksionit të partisë Rusia e Bashkuar, ku thuhej se Zëvendës Drejtori i Këshillit të Sigurisë ruse Dimiri Medvedev kishte urdhëruar “shkatërrimin e rrjetit të Starlink si pasojë e ndihmës që këto satelitë po i jepnin ushtrisë ukrainase, përfshi këtu shkatërrimin dhe zhytjen e anijes historike ruse Mosvka javën e shkuar”.
Sidoqoftë, ditën e djeshme, Medvedev doli me një deklaratë publike në kanalin e tij në Telegram, në të cilën ai sqaroi se ky urdhër nuk ishte dhënë prej tij – të paktën ende jo.
Në postimin e tij, ai e quan këtë ide ‘të freskët dhe inovative’ dhe shprehet se “pavarësisht se është ende herët, në rast të arritjes së një mendimi unanim, një sulm ndaj Starlink do të mbetet një opsion në tavolinë”.
Medvedev gjithashtu shtoi se Rusia nuk ka asnjë qëllim që të militarizoi hapësirën, por ama ajo nuk do t’i lejojë të tjerët ta bëjnë këtë.
Rrjeti i satelitëve të Starlink në fakt është bërë problem për ushtrinë ruse që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Një nga objektivët kryesor të ushtrisë ruse pas pushtimit të Ukrainës ka qenë pikërisht rrjeti i telekomunikacionit dhe sistemi GPS të cilët janë thelbësor për mobilizimin dhe organizimin e sulmeve ushtarake.
Menjëherë pas sulmeve të ushtrisë ruse në stacionet kryesore të transmetimit në Ukrainë, Elon Musk doli publikisht duke ofruar të dërgonte sistemet e tij të satelitëve Starlink në Ukrainë, duke i ardhur në ndihmë ushtrisë vendase kundër sulmeve ruse.
Në fakt, analistë të shumtë kanë bërë Starlink të përgjegjshëm për sulmin e detajuar kundër anijes luftarake ruse Moskva – e cila u përmbys nga sulmet me raketë të ukrainasve javën e shkuar, duke u zhytur në fund të Detit të Zi.
Teknologjia satelitore e Musk ka ndihmuar gjithashtu në koordinimin e dronëve ukrainas të përdorur për të shkatërruar tanke dhe armatime ruse.
Përmbysja e Moskvës nuk është parë vetëm si një humbje e rastësishme në luftë për Rusinë, pasi kjo anije luftarake ka një konotacion të fortë simbolik për rusët duke qenë se ajo është përdorur në disa sulme të mëparshme të Rusisë në Gjeorgji, Siri dhe Krime.
Mbetet për t’u parë se sa lufta në Ukrainë do të spostohet edhe në hapësirë, sidomos pas kërcënimeve të bëra nga drejtuesi i Agjencisë Hapësinore Ruse Dimitri Rogozin, muajin e shkuar, se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor në të cilin punojnë kozmonautë rusë dhe amerikanë, do të mund të përdorej kundër perëndimit.
Një shqetësim i mundshëm i aleatëve perëndimor është edhe ndikimi i ushtrisë ruse në sistemet GPS si dhe në fushatat e dezinformimit të cilat bëjnë të gjitha pjesë në ‘luftën hibride’ që Rusia kishte nisur shumë më parë pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.