Në daljen për mediat që pati sot nga selia e Kuvendit, Gramoz Ruçi iu përgjigj gazetarëve edhe për faktin nëse ai është penduar ose jo që votoi për ta zgjedhur President të Republikës, Ilir Metën.
Duke qenë se zgjedhja e Metës president u vendos vetëm në raundin e 4-të në Kuvend, Ruçi asokohe insistoi në uljen e ish-kreut të LSI në karrigen e Kryetarit të Shtetit, duke thënë se “vendi rrezikonte zgjedhje të parakohshme”, ndaj ai është ngacmuar nga gazetarët lidhur me vlerën e asaj deklarate.
“Lidhur me deklaratën time për raundin e katër, s’jam bërë pishman”, u përgjigj kryeparlamentari për mediat.
Por, Ruçi theksoi se ai nuk pret që Meta t’u përgjigjet orekseve të partive politike, por që të bëjë detyrën sipas Kushtetutës.
“Ka qenë një deklaratë, e cila përfaqësonte jo vetëm mendimin tim. Por edhe nëse e përfaqësonte mendimin tim si kryetar të grupit, e them edhe sot se nuk kishte luksin Shqipëria që të kalonte nga zgjedhjet në zgjedhje në atë kohë që e bëra. Ka qenë deklaratë që Kuvendi e mbështeti dhe e kurorëzoi me zgjedhjen e presidentit. S’jam pishman për votën që jap dhe qëndrimet që mbaj. S’kam pritur që presidenti i Republikës Meta, të operoj gjatë detyrës së tij sipas orekseve politike partiake dhe elektorale të asnjë pale. Kam pritur dhe pres që zoti Meta të zbatojë Kushtetutën”, nënvizoi Ruçi.