Gjatë konferencës për mediat, kryedemokrati është pyetur se a i druhet një ankimimi të SPAK të vendimit të GJKKO-së në Apelin e Posaçëm. Kësaj pyetje kryedemokrati i është përgjigjur se atë nuk ka asgjë që e ndal.
“Të bëjnë çfarë të duan. Sali Berishën nuk ka asgjë që e ndal.”
Berisha shtoi gjithashtu se nuk e priste vendimin e ditës së sotme të GJKKO për lirimin e tij, pasi sipas tij, drejtësia në Shqipëri është e kapur nga qeveria.
“PD ka ndezur motorët e mosbindjes civile, që janë njëkohësisht motorë të fushatës për zgjedhje të lira e të ndershme. Në diktatura ka dy rrugë. Tani kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare.
Ose mosbindje civile, ose luftë guerrile. Ne jemi për mosbindje civile. Ky të pranojë qeverinë teknike. Hajde pastaj fito me qeveri teknike në zgjedhje të lira e të ndershme.
Nuk mund të them e prisja ose jo vendimin e sotëm të gjykatës, sepse drejtësia kontrollohet totalisht nga Edi Rama. E kam thënë dhe e them, vlerësoj çdo akt që përputhet me ligjin të çdo gjykatësi. Kjo gjykatëse mori vendim në përputhje me ligjin dhe unë e falenderova publikisht”, ka thënë Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se janë përpjekur që të blejnë heshtjen e tij. Sipas kryedemokratit, më kriminel ndër të gjithë është Kryeministri Rama, të cilin e ka akuzuar për lidhje me bandat.