Aktualitet A ikën “plakat e prillit”? Meteorologu zbulon si do të jetë moti...

A ikën “plakat e prillit”? Meteorologu zbulon si do të jetë moti gjatë javës së ardhshme

Pas disa ditëve me temperatura të larta, kjo javë ka sjellë mot të paqëndrueshëm në të gjithë vendin, madje edhe reshje bore në zonat malore. Meteorologu Hakil Osmani ka zbuluar si do të jetë moti në fundjavë dhe gjatë javës së ardhshme.

Ai bëri me dije se dita e shtunë sjell përmirësim të motit, por të dielën rikthehen sërish reshjet. Ndërkohë, ditën e hënë dhe të martë pritet një rritje e temperaturave, teksa në mesjavë mund të ketë sërish reshje shiu.

“Kjo javë ka sjellë atë që i thonë “Plakat e Prillit”. Kemi pasur reshjet e shiut herë pas herë në formën e rebesheve, kemi pasur shfaqje të flokëve të dëborës në qytetet e zonave malore. Po ashtu kemi pasur një rënie të ndjeshme të rënieve të temperaturave të ajrit.

Sot do të kemi mbizotërim të vranësirave të dendura, reshjet e shiut do të jenë të pakta në zonat veriore dhe qendrore, ndërsa në zonat jugore kemi reshje të pakta. Pjesa e dytë e ditës është ajo që do të sjellë zhvillime të vranësirave, duke bërë që në zonat jugore të kemi rrebeshe të reshjeve të shiut. Më të prekura pritet të jenë qarku i Vlorës dhe i Gjirokastrës.

Temperaturat e ajrit orët e para të mëngjesit mbeten të ulëta, maksimumet mbeten në vlerat 20-21 gradë Celsius. Dita e shtunë sjell përmirësim të kushteve të motit. Do të kemi mbizotërim të kthjellimeve, kalime të pakta të vranësirave, që më të dukshme do të jenë në pjesën e dytë të ditës. Temperaturat e ajrit do të kenë rritje si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale, duke bërë që minimumet të shkojnë në vlerën 0-1 gradë Celsius, ndërsa maksimumet 22 gradë Celsius.

Dita e diel sjell ndryshim të menjëhershëm të kushteve të motit. Do të kemi rrebeshe shiu në një pjesë të madhe të territorit shqiptar dhe në zonat malore reshje dëbore. Kjo vjen si pasojë e rënies së temperaturave të ajrit gjatë orëve të vona të mbrëmjes.

Dita e hënë dhe e martë sjellin përmirësim të kushteve të motit, duke bërë që të kemi interval të gjata me diell, më të dukshme në Ultësirën Perëndimore. Pasditet sjellin kalime të lehta të vranësirave, më të dukshme bëhen ditën e martë, pasi ka sinjale që mesjava të sjellë sërish reshjet. Do të kemi një rritje të menjëhershme të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet ditën e hënë të jenë rreth vlerës 22 gradë Celsius, kurse e marta do të sjellë një rritje me 3 gradë Celsius”, tha Osmani në Vizion Plus.