Nga Lutfi Dervishi
Për disa 2020 është një vit për t’u harruar për shkak të pandemisë. Por nëse e sheh me sytë e optimistit 2020 nuk ishte mbushur vetëm me lajme të këqija!
I mbani mend ditët kur cicërimat e zogjve dëgjoheshin në çdo cep të Tiranës? Këto ditë ishin në vitin që mezi presim të ikë. I mbani mend ditët kur mushkëritë befasoheshin nga ajri i pastër në kryeqytet, ishin ditët kur mali i Dajtit duket se ishte afruar më shumë me qytetin.
Më në fund në vitin 2020 në ekrane u shfaqën ekspertët! Nga gjithologët si me magji mbërritëm te ekspertët e fushës. Në javën e parë të pandemisë nën titujt “Java e ferrit”, “Dyfishohet numri i të infektuarve” – në total ishin 12 raste”, diskutohej “rrafshimi i kurbës”. Ka mbetur në mendjen e gjithkujt këshilla epike: mos mbani maskë! Kjo është arsyeja që edhe pse ka një ligj që detyron mbajtjen e maskës, shumë njerëz mbajnë mend këshillën e parë të ekspertëve dhe jo të dytën. Ushtarakët kanë një shpjegim të thjeshtë për këtë situatë:
Urdhëri dytë anullon të parin!
Nëse mban mend vetëm faktin se Shqipëria edhe këtë vit ishte pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, sigurisht që 2020 e meriton epitetin “i keq”, por nëse nuk harron që gjithë çështjet kushtetuese për 2020 i trajtoi Komisioni i Venecias, (tani do të quhet komisioni Tiranës) viti nuk mund të quhet edhe aq i zi. Është e vërtetë se Gjykata e Lartë nuk mundi të gjykojë asnjë dosje, por ama këto dosje kanë përfunduar në Gjykatën e Strasburgut.
2020 do të mbahet mend si viti kur opozita nuk ishte në Parlament, por ama ajo opozitë që është brenda i dhe votoi çdo nismë dhe projektligj të qeverisë deri te ndërrimi i Kushtetutës, do të kujtohet gjatë dhe do të jetë e paharrueshme-sepse një opozitë e tillë vendit i vjen vetëm njëherë në 10 mijë vjet!
Në pikëpamjen e shtetit ligjor 2020-ta ishte një vit si gjithë vitet e tjera. Pavarësisht se thuhet “para ligjit jemi të gjithë të barabartë”, e vërteta është se nuk jemi të barabartë para ligjit- nuk jemi sot, nuk kemi qenë dje, nuk kemi qenë as para 100 vjetësh dhe ndoshta nuk do të jemi as pas 100 vjetësh. Por 2020 do të mbahet mend si viti ku të gjithë ishin të barabartë para virusit!
Dhe qershia mbi tortë është se në fund të vitit u shpik vaksina! 70% e shqiptarëve nuk besojnë te vaksina, dhe 75% nuk besojnë se ekziston virusi. Nëse dy në tre shqiptarë nuk besojnë te virusi, si mund të themi që 2020 ishte një vit i keq?