Nga Manfred Manera, The Spectator
Muajin që shkoi, kryeministri i Italisë Mario Draghi premtoi se do të de-klasifikojë dokumentet qeveritare mbi dy organizata: Gladio, një grupim antikomunist paramilitar,i lidhur me NATO-n dhe CIA-n, dhe një lozhë masonike e njohur si P2 (Propagana Due). Këto dy grupime, besohet se kanë qenë përgjegjëse për disa nga momentet më të errëta të historisë italiane të pasluftës. Gjatë pjesës më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit XX-të, Italia ishte në pozitën më të palakmueshme të Luftës së Ftohtë.
Ajo ishte epiqendra e terrorizmit evropian. Shpërthimi i tmerrshëm në stacionin hekurudhor të Bolonjës në vitin 1980, që shkaktoi 76 të vdekur dhe më shumë se 200 të plagosur, ishte në atë kohë sulmi më i përgjakshëm terrorist që kishte përjetuar ndonjëherë një vend evropian.
Sulmi kishte lidhje me një milici të vogël neo-fashiste, të quajtur Bërthama Revolucionare e Armatosur. Por shumë italianë mbeten të bindur, se sulmi ishte organizuar nga një rrjet më i gjerë i ekstremit të djathtë. Vendimi i Draghit për të de-klasifikuar dosjen mbi këtë çështje delikate,ndodhi në 41 vjetorin e masakrës së Bolonjës.
Fashizmi i pasluftës në Itali bazohej në “strategjinë e tensionit”. Ky term, i përdorur për herë të parë nga gazetari britanik Neal Ascherson në gazetën “The Observer” në vitin 1972, përshkruan të gjitha llojet e komploteve, përfshirë vrasjet dhe aktet terroriste, të kryera me synim jo destabilizimin e vendit, por konsolidimin e pushtetit dhe justifikimin e ligjeve të emergjencës.
Kur e pyeta senatorin Felice Casson, prokurorin që drejtoi hetimin mbi Gladio-n, se cili ishte mendimi i tij mbi vendimin e Draghi, ai m’u përgjigj: “Nuk do sjellë asgjë të re! Është vetëm një njoftim. Askush nuk ka guximin dhe as vullnetin për të zbuluar përfshirjen e fuqive të huaja në ato sulme”.
Në vitin 2001, Guido Salvini, një gjyqtar që ishte pjesë e Komisionit Hetimor mbi Masakrat, deklaroi: ”Roli i amerikanëve ishte i paqartë, dhe luhatej midis pasjes dijeni e mos parandalimit të sulmeve,dhe nxitjes së atyre njerëzve për të kryer mizori të tilla”.
Por e vërteta e pretendimeve të tilla – të mohuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit – mbetet ende e paverifikuar. Ndoshta dokumentet e reja të Draghit, mund të tregojnë një përfshirje më të madhe të amerikanëve. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA ishte shumë e vëmendshme ndaj politikës italiane.
CIA e ka pranuar se i dha mbi 11 milionë dollarë partive të qendrës së djathtë në zgjedhjet parlamentare të vitit 1948, ndërsa ka prova se amerikanët falsifikuan dokumente për të inkriminuar kandidatët e krahut të majtë. Italia ishte një rast i veçantë midis vendeve anëtare të NATO-s.
Së pari, ajo kishte partinë më të madhe dhe më të fuqishme komuniste jashtë Bllokut Lindor, Partito Comunista Italiano. Kjo gjë ishte e patolerueshme për amerikanët, për të cilët Italia ishte strategjikisht shumë e rëndësishme,dhe nuk duhej humbur kurrsesi në favor të bllokut lindor.
Në atë kohë, psikologjia italiane ndikohej shumë nga forcat e shumta ushtarake sovjetike,të vendosura vetëm disa orë me makinë larg nga kufiri i saj verilindor. Pjesë e planit për një rezistencë të armatosur kundër një pushtimi të mundshëm sovjetik ishte Gladio, një lloj ushtrie sekrete e përbërë nga anti-sovjetikë të thekur.
Njësitë e Gladio-s u trajnuan për luftë guerile, dhe ekzistonin në pjesën më të madhe të Evropës. Në vitin 1991, u zbulua se anëtarët zviceranë të Gladio-s ishin trajnuar nga ushtria britanike pa dijeninë apo miratimin e qeverisë zvicerane.
Sipas gjyqtarit Guido Salvini, disa nga anëtarët italianë të Gladio-s, ishin në fakt anëtarë të grupeve terroriste të ekstremit të djathtë. Ashtu si në Gjermaninë e pasluftës, ku ish-nazistët u rekrutuan nga amerikanët për të luftuar në Luftën e Ftohtë, qeveria italiane e pasluftës rekrutoi ish-fashistët, të cilët ishin më të motivuar ideologjikisht për të luftuar kundër komunizmit.
Kjo shpjegon edhe rolin e lozhës masonike P2, akronimi i Propaganda 2 (Propaganda 1 u themelua në vitin 1877 dhe u mbyll nga regjimi i Musolinit). P2 ishte një organizatë sekrete masone e përbërë nga politikanë të shquar, biznesmenë, anëtarë të shërbimit sekret, të forcave të armatosura dhe gazetarë të njohur dhe me shumë ndikim.
Synimi i P2 ishte të infiltrohej në strukturat shtetërore, dhe ta bënte të pamundur që Partia Komuniste të merrte pushtetin me mjete demokratike. Ekzistenca e kësaj lozhe u bë publike në vitin 1980, dhe më pas u shpall e paligjshme pak më vonë në vitin 1982.
Lozha është lidhur me grushtin e dështuar të princit Junio Valerio Borghese, dhe sulmin me bombë në trenin e linjës ‘Italicus‘në vitin 1974. Që në vitet 1980 filluan që të zbulohen skandale të shumta korrupsioni. Në fillim nisi një hetim mbi P2 dhe anëtarët e tij. Pastaj në vitin 1990 ekzistenca e Gladio-s u pranua zyrtarisht.
Hetimi mbi Gladio-n, për të cilën u fol për herë të parë në gjyqin e vitit 1984 ndaj një terroristi neo-fashist, provokoi zemërimin e opinionit publik. Por ekzistenca e tij rezultoi të kishte pasur shumë pak pasoja reale. Muri i Berlinit ishte duke u shembur, dhe skandali siguroi një mbulesë të dobishme për krimet e kryera nga anëtarë të rangut të lartë të Partisë Komuniste.
Ata kishin frikë nga zbulimet që mund të dilnin nga arkivat sovjetike, dhe që tregonin sesi Partia Komuniste Italiane ishte sponsorizuar në mënyrë të paligjshme nga Bashkimi Sovjetik deri në fundin e viteve 1980. Subvencionimi nga armiku, nga një fuqi armiqësore ndaj aleancës së cilës i përkiste Italia, dhe me raketat bërthamore të drejtuara ndaj vendit tënd, përbënte një tradhti më të madhe sesa anëtarësia në organizatën sekrete të NATO-s, Gladio.
Evokimet e rrezikut nga fashizmi, janë shndërruar në një mjet efektiv në politikën italiane të pasluftës për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve. Sado që mund të dëshirojë të arrijë tek e vërteta e historisë së çuditshme të neo-fashizmit dhe intrigave ndërkombëtare, nisma e Draghit motivohet edhe nga arsye të brendshme.
Nga përpjekje për të frenuar rritjen e mëtejshme të partisë së ekstremit të djathtë sot në opozitë, Fratelli d’Italia. Sipas disa sondazheve, kjo parti është për momentin më popullorja në Itali, edhe pse është pasardhësja e tendencave musoliniane të pasluftës. Por sot Fratelli d’Italia, po përpiqet të paraqitet në publik si një parti konservatore normale. Por lidhja me të kaluarën e saj dhe rrënjët post-fashiste, është një politikë e mirë për Mario Draghin.