Aktualitet A janë ’20 milionë eurot e sigurimit’ në Suedi shkak për vrasjen...

A janë ’20 milionë eurot e sigurimit’ në Suedi shkak për vrasjen e Liridonës? Çfarë dyshohet

Të tjera pista po dalin në dritë si shkak i mundshëm i vrasjes së Liridonës në Kosovë me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli.

“Indeksonline” raportoi sot se një prej motiveve që dyshohet ta ketë shtyrë Naim Murselin në organizimin e gjithë skemës për vrasjen e gruas së tij Liridonës, është një sigurim që i kishte paguar kësaj të fundit në Suedi.

Referuar këtij raportimi, sigurimi jetësor që Naim Murseli i kishte paguar Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë euro.

Pra përfitimi i 20 milionë eurove nga sigurimet në Suedi dyshohet të jetë një nga motivet që ka çuar në ngjarjen makabre.

Murseli ende s’ka treguar para organeve të drejtësisë arsyen që ka bërë këtë krim, por një nga pistat e besueshme mund të jetë kjo, bazuar në burime të afërta me ish-çiftin.

Policia e Kosovës njoftoi se ka sekuestruar armën me të cilën u qëllua për vdekje Ademaj si dhe 19 fishekë, ndërsa është sekuestruar edhe makina e porositësit të krimit Naim Murseli.

Ky i fundit ka pranuar që të ketë urdhëruar ai vrasjen e bashkëshortes ndërsa autorësinë e ka pranuar edhe Granit Plava i cili po ashtu u arrestua të premten. Plava ka thënë në dëshminë e tij se është paguar nga Murseli 15 mijë Euro paradhënie, ndërsa 15 mijë Euro të tjera do t’i merrte pas kryerjes së krimit.

Veç tyre si i përfshirë në ngjarje u prangos edhe Kushtrim Kokalla. Ky i fundit është anëtar i FSK.

Për të tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit me afat 30 ditë. Policia dyshoi se ngjarja nuk ishte grabitje pas dëshmisë së bashkëshortit të gruas, Naim Murseliot. Ky i fundit ishte kontradiktor në dëshmi, ndërsa deklarime para policisë dhanë edhe dy fëmijët e tij të mitur të cilët thanë se babai ishte i qetë pas ngjarjes dhe se u kishte thënë se gjithçka ishte një lojë.

Policia e lejoi Murselin që t’i merrte pjesë edhe në ceremoninë mortore të 33-vjeçares për të parë reagimet e tij dhe më pas i vendosën prangat.