Sport “A jeni gati të luftoni?” Fjalimi emocionues i Ronaldos para ekipit

“A jeni gati të luftoni?” Fjalimi emocionues i Ronaldos para ekipit

Mjaftoi një ndeshje, ajo debutuese në përvojën e dytë me Manchester United, që Cristiano Ronaldo të rrëmbente zemrat e tifozëve të “Djajve të Kuq”. Dygolëshi i CR7 ishte thelbësor për arritjen e një fitoreje të thellë 4-1 ndaj Newcastle, që i jep mundësi skuadrës së Ole Gunnar Solskjaer të jetë pjesë e kuartetit kryesor bashkë me Chelsean, Evertonin dhe Liverpoolin. Por nuk janë vetëm numrat që tregojnë impaktin e jashtëzakonshëm të portugezit.

Një burim zbuloi për “Sun” se Cristiano mbajti një fjalim emocionues para se ekipi të zbriste në fushë për ndeshjen me Newcastle. Lojtarët dhe stafi i “Djajve të Kuq” e dëgjuan në heshtje, por me shumë vëmendje.

“U ktheva në Manchester United për dy arsye. E para është se e dua klubin, e dyta është se e dua mentalitetin fitues që ka ky klub. Nuk jam këtu për të qenë një nxitës i tifozëve (cheerlider). Nëse doni të jeni të suksesshëm, duhet ta doni Unitedin nga thellësia e zemrës. Duhet të ushqehesh, të flesh dhe të luftosh për klubin. Nuk ka rëndësi nëse luani ose jo, gjithmonë duhet të jepni 100% dhe të mbështesni shokët tuaj. Unë jam këtu për të fituar dhe fitorja sjell lumturi. Ne duam të jemi të lumtur, apo jo? Ju jeni futbollistë fantastikë dhe unë besoj tek ju, përndryshe nuk do të isha kthyer.

Nëse jepni gjithçka, fansat do t’ju mbështesin. Unë dua të krijoj një mentalitet fitues, kështu që kur të dal në pension e gjitha kjo do të mbetet dhe ju do të vazhdoni të dominoni. Do të jap gjithçka, por kam nevojë edhe për ju. A jeni gati për të luftuar? A jeni gati të jepni gjithçka në fushë?”. Fjalimi i Ronaldos është i një lideri absolut, ai fitoi duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve.