Politika A ka ambicie për kryetare e PD tani që u largua Basha?...

A ka ambicie për kryetare e PD tani që u largua Basha? Flet Jozefina Topalli

Në një intervistë me gazetaren Mirela Milori në Klan Neës, ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli ka kujtuar një frazë të saj të thënë më herët që “kur të ikë Lulzim Basha, do të kthehet në PD”, gjë që e ka konfirmuar dhe në “Milori Live”. Topalli po ashtu, u shpreh se nuk ka ambicie për të qenë kryetare e kësaj partie, pasi sipas saj PD-ja e ka treguar se është e ish-Kryeministrit të vendit Sali Berishës.

Mirela Milori: Ju do t’i bashkoheshit situatës së PD-së që është tani nëse do të kishit një ftesë nga Berisha? Ju keni gjithë autoritetin tuaj dhe nuk ka forcë që ju ndal.

Jozefina Topalli: Unë kam thënë se kur të ikë Lulzim Basha, unë do të kthehem në PD. Shumica kanë ardhur tek ato kauza që unë kam ngritur gjatë viteve. Unë do të dëshiroja që të mbështesja një proces të sinqertë dhe të vërtetë me kushtin që të gjithë ata që kanë mbështetur Lulzim Bashën gjatë kësaj periudhe të tregojnë që distancohen nga politika e klientelizmit me vepra. Unë besoj në bashkime vlerash, nëse kjo do bëhet, unë do të jem e përfshirë.

Mirela Milori: Do të thotë se do të ktheheni në PD?

Jozefina Topalli: Unë nuk jam larguar kurrë nga Partia Demokratike. Unë jam aty ku kam qenë gjithmonë. Janë të tjerët që po afrohen tek unë.

Mirela Milori: Do të mbështesnit Berishën për kryetar të PD-së?

Jozefina Topalli: Unë do të mbështes mekanizimin e votës që është i vetmi instrument që të jep legjitimitet.

Mirela Milori: A keni ambicie për të qenë kryetare e Partisë Demokratike?

Jozefina Topalli: Jo, e prerë jo! Nuk kam ambicie për të qenë kryetare e PD, kjo është parti që ka treguar se është e Sali Berishës. Të thuash të kundërtën është si të gënjesh veten. Më pëlqen apo nuk më pëlqen, ky është realiteti.