Silva Bino, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, deklaroi në televizionin A2 se shtimi i rasteve me koronavirus është faji i të gjithëve.
“Dihet që ky virus është tejet ngjitës dhe të vetmet masa mbrojtëse kemi distancimin fizik, higjienën personale dhe vendosjen e maskave. Përgjegjësia është personale dhe kolektive. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi dëgjuar edhe që virusi është sajesë apo është sëmundje e lehtë. Protokollet e sigurisë për bizneset dhe restorantet janë për të minimizuar përhapjen e virusit dhe në momentin që nuk zbatohen, infeksioni përhapet më lehtë. Unë e kam vënë re që protokolli nuk zbatohet. Ai protokoll nuk është kot, duhet zbatuar”, tha Bino.
Kur u pyet nëse ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën, Bino theksoi: “Nuk ka një shifër tavan. E rëndësishme është që të mos ketë mbingarkesë në spitale dhe fatalitete. Gjithçka e ka fillesën te moszbatimi i distancimit fizik”.
Në lidhje me zërat kundër vaksinës, Bino tha: “Po bëhen shumë përpjekje për prodhimin e vaksinës, janë angazhuar shkencëtarë në të gjitha kontinentet. 3 janë vaksinat kandidate më të mira. Por, nuk mund të përdoren te njeriu pa kaluar 4 etapa, ku më e rëndësishmja është pjesa e sigurisë. Një vaksinë nuk mund të futet në vendin tonë nëse nuk aprovohet nga Agjencia Europiane e Barnave. Nuk ka asnjë detyrim në bërjen e vaksinës. Nuk e kuptoj gjithë këtë luftë kundër vaksinës, kur ajo është shumë larg akoma. Vaksinat kanë luajtur rol kyç në mirëqenien e njerëzimit ndër vite. Ne i kemi harruar shpërfytyrimet e njerëzve nga sëmundje si poliomeliti dhe i kemi harruar falë vaksinave. Kjo është arsyeja që kemi një procedurë indirekte për vaksinat e kalendarit që nuk pranojmë fëmijët në shkollë”.