Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte të Komitetit Teknik të Ekspertëve, kryeministri Edi Rama pyeti mjekët edhe për mundësinë nëse koronavirusi është përhapur në vendin tonë para muajit mars, kur u konfirmuan edhe rastet e para.
Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi, u shpreh se virusi në Shqipëri ka ardhur nga Italia.
“Nga rezultatet që kam parë, nuk mendoj se kemi pasur Covid-19 para marsit. Unë them se virusi ka ardhur në Shqipëri nga Italia. Edhe nga rezultatet që shoh, nuk është një pjesë shumë e lartë e popullsisë që e ka kaluar”, u shpreh Koraqi.
Ndërsa Najada Çomo, shefe e shërbimit Infektiv në QSUT, theksoi se asnjë rast me Covid-19 nuk ka qenë në Infektiv para muajit mars.
“Në janar ne kemi fluks të shtuar pacientësh për shkak të ekzistencës së gripit. Që në fund të janarit ne kemi pasur një vëmendje të shtuar, pasi kemi pasur persona të ardhur nga Kina, por nuk ka pasur raste. Vlen për t’u përmendur se nuk mund të kishim raste të shumta, atëherë kur masat ishin të pakta dhe më shumë raste tani që masat i kemi të shumta. I përgjigjem zyrtarisht pyetjes, se në Shërbimin Infektiv nuk ka pasur kurrsesi persona të infektuar nga Covid-19 më herët”, u shpreh Najada Çomo, shefe e shërbimit Infektiv në QSUT.