Një provë katër-vjeçare e fazës fillestare të një vaksine të personalizuar të kancerit të lëkurës ka përfunduar dhe rezultatet e saj tregojnë efekte premtuese në luftën kundër melanomës, shkruan IFLScience.
Vaksina, e quajtur NeoVax, stimulon sistemin imunitar për të sulmuar qelizat tumorale në pacientët me melanoma vdekjeprurëse me rrezik të lartë.
Një përgjigje imune ndodhi në të tetë pacientët që e morën atë. Të gjithë i mbijetuan periudhës së provës, dhe gjashtë prej tyre nuk janë sëmurur në katër vitet e fundit.
Vaksinat e personalizuara të kancerit janë një nga mënyrat më premtuese për të luftuar kancerin, i cili merr gati 10 milion jetë në vit në të gjithë botën. Nuk ekziston një kurë e vetme për të gjitha kanceret – secili është një kombinim i veçantë i faktorëve gjenetikë ose mjedisorë, në lidhje me molekulat e ndryshme kundër të cilave disa terapi mund të jenë efektive dhe disa jo.
Për të bërë një vaksinë për të luftuar melanomën, shkencëtarët nga Instituti Amerikan i Kancerit Dana-Farber në Massachusetts kërkuan antigjene që gjenden në sipërfaqen e qelizave kancerogjene. Ky lloj antigjeni, i quajtur neoantigjen, mutohet dhe ekziston vetëm në qelizat tumorale. Nëse sistemi imunitar mund të mësojë t’i njohë dhe t’i sulmojë ato, qelizat malinje mund të shkatërrohen.
Vaksina NeoVax përmban pjesë të këtyre neoantigjeneve që stimulojnë përgjigjen imune. Sidoqoftë, ato duhet t’i përshtaten secilit pacient personalisht. Kur një person merr vaksinën, qelizat T në trup do të njohin neoantigjenët dhe do t’i kujtojnë ato, dhe në rastin më të mirë parandalojnë zhvillimin e melanomës.
Në fazën e parë të një studimi të kryer në tetë subjekte, pas vaksinimit, studiuesit zbuluan se qelizat T i përgjigjen neoantigjeneve të melanomës me ndihmën e një testi gjaku.
“Këto zbulime tregojnë se një vaksinë personale e neoantigjenit mund të sjellë një përgjigje të qëndrueshme imune në pacientët me melanoma“, tha udhëheqësja e studimit Catherine J. Wu, duke shtuar se ata kanë prova që përgjigja fillestare, e shënjestruar e imunitetit është përhapur gjatë viteve dhe kështu u siguron pacientëve mbrojtje nga sëmundja.