Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Nga kryeqyteti i Kosovës, kryeministri Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp me kryekomunarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është pyetur në lidhje me raportet me “vëllain e vogël”, referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Rama i është përgjigjur pyetjes duke thënë se vëllain e vogël e ka në Tiranë, drejtor të klubit Partizani.
Si e komentoni faktin që kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës është zgjedhur deputet në Parlamentin Europian, Fredi Beleri?
Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për këtë, jam në Prishtinë.
A mendoni se ka liderë unifikues në Kosovë që të kishte sërish një ekip uniteti? A keni ndonjë porosi për vëllain e vogël, i cili është hera e dytë që nuk ju pret?
Edi Rama: Vëllain e vogël e kam në Tiranë, është drejtor i klubit të Partizanit.
A janë prishur aq keq raportet saqë të mos e quani më vëlla?
Edi Rama: Jo, sepse ma bëtë pyetjen me shpresën se do të më fusnit në kurth, por jam mësuar me këto kurthet.
A mendoni se ka liderë unifkues?
Edi Rama: Nuk është çështje personazhi, por qasje, e ndarjes dhe e interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe përcakton dhe se si të tjerët na shohin, Ibrahim Rugova krijoi aleatët dhe miqtë e Kosovës dhe po ashtu janë shembull i zakonshëm me ekipin e unitetit. Politika e jashtme duhet të na përfaqësojë të gjithëve dhe sidomos në raste ku duhen bërë zgjedhje të caktuara në raport me të tretët, e rëndësishme të jenë të mbrojtura nga arsyeja e pasionit të luftës së brendshme.