Ndonëse marrëveshja e deritanishme INF kishte dobësi të mëdha, në vend që të varrosej njëherë e përgjithmonë, do të qe më mirë që fuqitë e mëdha ta kishin modernizuar atë. Për këtë mungon vullneti, mendon Bernd Riegert.
Nga Bernd Riegert*
Marrëveshja, që i ndalonte SHBA-së dhe Rusisë, zhvillimin e raketave tokësore me predha me rreze të mesme veprimi dhe armatosjen e tyre me lëndë bërthamore, nga sot i përket historisë. Kjo është një ngarkesë për arkitekturën e sigurisë në Europë, sepse pikërisht për këtë kontinent u nënshkrua 32 vjet më parë marrëveshja INF.
SHBA dhe ish-Bashkimi Sovjetik, pas garës së armatimeve që kishte paraprirë, ranë dakord që të asgjësojnë një kategori të tërë armësh. Një kërcënim i panevojshëm dhe me shumë kosto u eliminua prej SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, e ky ishte edhe një avantazh për secilin partner europian të aleancës. Një fushëbetejë europiane kësisoj u bë e pamundur. Por logjika atomike e demonstrimit të forcës – kërcënimi i ndërsjelltë – mbeti deri më sot. Megjithatë në një nivel më të ulët. Në fund të viteve 1980-të SHBA dhe Bashkimi Sovjetik dispononin secili mbi 12.000 predha atomike. Sot janë rreth 1600 nga ana amerikane dhe ajo ruse.
Besimi i humbur
Fundi i marrëveshjes INF tregon rritjen e vazhdueshme të mosbesimit mes SHBA-së dhe NATO-s nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër. Që nga viti 2008 Rusia paraqitet gjithnjë e më agresive. Lufta kundër Gjeorgjisë, pushtimi i Krimesë në lindje të Ukrainës, mbështetja e regjimit të Asadit në Siri, provokimet në kufijtë lindorë të NATO-s janë nga këndvështrimi perëndimor kërcnuese. Armatimi me predha të reja ruse i vërejtur më së voni që nga viti 20014 (jo vetëm nën presidentin kaotik të SHBA-së Donald Trump, por shumë më parë) e justifikon si masë të fundit anulimin e marrëveshjes INF nga SHBA-ja.
Marrëveshja nuk i përshtatej më mjedisit strategjik. Ajo nuk përfshinte shtete si Kina, që nga ana e tyre kanë prodhuar raketa me reze të mesme veprimi. Marrëveshja nuk ofronte udhëzues përdorimi për sistemet e reja të mbrojtjes nga raketat, që po krijohen në territorin e NATO-s për mbrojtjen ndaj kërcënimeve prej Iranit apo Koresë së Veriut, por kanë hasur në kundërshtimin e ashpër të Kremlinit. Rusia dhe NATO, pra dhe SHBA nuk duhej ta hidhnin në koshin e letrave këtë marrëveshje, por duke iu referuar partnerëve të tjerë kontraktues si Kina do të duhej ta modernizonin atë. Po ashtu do të duhej të merreshin parasysh tipe të reja armësh në internet ose robotët vrasës. Shansi është humbur prej Rusisë dhe SHBA nuk e kanë vlerësuar atë sa duhet.
Pasoja tani do të jetë natyrisht një garë e re armatimi. SHBA kanë deklaruar ndërkohë një provë të një predhe të re bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tërhoqi vëmendjen, që pas viteve 1980 ishte i nevojshëm një “armatim pasues” i Perëndimit, për ta nxitur Lindjen me nivel më të ulët ekonomik që të nënshkruajë marrëveshjen.
Të shpëtohen kontrollet strategjike të armatimit
Të shpresojmë që dy fuqitë e mëdha nukleare ta shpëtojnë marrëveshjen e tyre për kufizimin e armëve ndërkontinentale (New START), që parashikon reduktimin e numrit të armëve atomike, të cilat mbahen në gatishmëri për asgjësimin reciprok. Në rishqyrtimin e kësaj marrëveshjeje duhet urgjentisht të përfshihen edhe fuqi të tjera nukleare si Pakistani, India, Izraeli apo Koreja e Veriut e Irani. Nuk është e sigurtë nëse një gjë e tillë është e mundur në sfondin e mosbesimit të fortë mes drejtuesve aktualë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kremlin. Kontrolli i armatimeve do të ishte urgjentisht i domosdoshëm, por rruga drejt tij nuk po duket.
Marrëveshja INF e anuluar tani u hartua më 1987, pasi në Bashkimin Sovjetik përfaqësuesit e vijës së fortë u zëvendësuan prej sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Michail Gorbatschov. Le të shpresojmë që të mos na duhet të presim brezin pasues në Kremlin, që të mund të negociohet një marrëveshje e arsyeshme për kufizimin e armatimeve. Por edhe ndaj palës amerikane mund të të lindin dyshime të kuptueshme nëse është vërtetë në gjendje administrata aktuale të negociojë arsyeshëm për çarmatimin. Një president, të cilit nuk i kihet besë, që ka bërë mjaft dëm në politikën e jashtme dhe rrethohet prej fajkojve, nuk të inkurajon.
*DW