Denis Macshane – Euobserver
Ky vit përkon me 200-vjetorin e fillimit të kryengritjes nacionalçlirimtare të Greqisë. Poeti anglez, Lord Bajroni, ishte një nga mbështetësit e luftës greke për pavarësi. Ai vdiq së bashku me grekët që kërkonin të drejtat e tyre për gjuhën, ishujt, traditat dhe besimin e tyre, kundër sundimtarëve turq.
Mjerisht, festimet që grekët kishin planifikuar për lirinë dhe identitetin e tyre janë anuluar për shkak të Covid-19.
Greqia ka qenë gjithmonë më e veçuara e Evropës. Ajo përballet me një fqinj armiqësor të palëkundur në Turqi nën presidentin e saj autoritar, Rexhep Tajip Erdogan.
Deri në anëtarësimin e Bullgarisë në BE në 2007, Greqia nuk kufizohej me asnjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
Evropa në veri të Egjeut dhe Alpet vijojnë ta “mbrojnë” Greqinë. Në librin e tyre të ri “La Valse Européene”, mbi krizat e qëndrueshme të BE-së që nga kriza e vitit 2008, ekonomisti francez Elie Cohen dhe shkencëtari politik Richard Robert, analizojnë ndëshkimin e Greqisë nga eurogrupi i udhëhequr nga holandezo-gjermanët pas krizës financiare.
Ekonomia greke nuk ishte rikthyer në nivelin e e viteve 2000 edhe para së të fillonte pandemia. Pensionet greke u dëmtuan për të përmbushur kërkesat e “priftërinjve” të lartë të ortodoksisë monetare në Bruksel. Gjysmë milioni grekë të rinj, të arsimuar u larguan nga vendi i tyre një dekadë më parë si rezultat i politikës ndëshkuese të Komisionit Evropian.
Kjo i krijoi terren për fitore në vitin 2015, partisë së ekstremit të majtë Syriza. Demagogu i ekonomisë dhe populisti Yanis Varoufakis, i kësaj partie, bëri edhe më shumë dëm me kërcënimet për të dalë nga eurozona. Pasi u pushua nga puna, pati një farë stabiliteti. Në vitin 2019, Syriza u zëvendësuan nga partia e modernizuar e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, nën Kyriakos Mitsotakis.
Si një mënyrë për të festuar 200 -vjetorin e saj të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, a mundet Greqia të marrë drejtimin në Evropë, në një zonë me rëndësinë më të lartë për presidentin Joe Biden? Në cilësinë e kryetarit të komitetit të punëve të jashtme të Senatit amerikan dhe si zëvendëspresident, Biden u interesua shumë për Ballkanin Perëndimor.
Biden e vizitoi rregullisht rajonin në vitet 1990 dhe pas vitit 2000. Madje, ka edhe një rrugë me emrin e tij në Kosovë. Djali i tij, Beau Biden, i cili vdiq nga kanceri në tru në moshën 45 vjeç, shërbeu si avokat i ushtrisë amerikane në Kosovë duke ndihmuar në krijimin e strukturave të sundimit të ligjit pas çlirimit të vendit të vogël nga sundimi serb.
Ashtu si Greqia pas vitit 1821, e cila pjesërisht por jo plotësisht u çlirua nga dominimi turk, Kosova mbetet nën presionin e Serbisë, e mbështetur nga Rusia, e cila ka organizuar një fushatë mbarëbotërore në dekadën e fundit për të mohuar njohjen e plotë të Kosovës si një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Putini miraton pikëpamjen nacionaliste serbe se Kosova është vetëm një provincë e shkëputur e Serbisë, njësoj si osmanët refuzonin të pranonin se Greqia kishte të drejtë të ekzistonte, përveçse me kushtet turke, në shekullin XIX.
Udhëheqësi grek, Mitsotakis me partinë e tij të qendrës së djathtë Demokracia e Re e pranuan ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si një shtet i vogël i Ballkanit Perëndimor. Ai u përball me nacionalistët grekë të djathtë, të cilët këmbëngulnin se liderët politikë të Shkupit po përpiqeshin të vidhnin identitetin kombëtar të Greqisë me rrënjë në trashëgiminë e Filipit të Maqedonisë, i cili i la trashëgim emrin e tij rajonit gjigant grek të Maqedonisë, shumë më i madh se provinca e vogël në jug të Jugosllavisë së dikurshme.
Putini u përpoq ta prishte marrëveshjen Athinë-Shkup pasi Kremlini e urren idenë e kombeve të vogla të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut që përfshihen plotësisht në BE dhe në kohën e duhur edhe në NATO, si shtetet balltike ose koloni të tjera ish-sovjetike në Evropë.
Mitsotakis nuk e mori parasysh Putinin dhe nacionalistët grekë në çështjen e Maqedonisë së Veriut. Tani ai ka mundësinë të marrë drejtimin e vërtetë evropian në Ballkanin Perëndimor.
Asnjë nga lojtarët e mëdhenj të BE-së si Gjermania apo Franca nuk janë treguar të gatshëm për ndonjë lidership. Presidenti Macron mendon se, nëse Shqipëria frankofile e aq më pak Kosova afrohet me Evropën, kundërshtarja e tij islamofobe, Marine Le Pen, do ta akuzojë atë për anëtarësimin e dy vendeve me shumicë myslimane.
Indiferenca e Berlinit
Berlini ka qenë gjithmonë indiferent ndaj Ballkanit që kur Bismarku vuri në dukje se ky rajon “nuk vlen as sa jeta e një granatues pomerian”. Gjermania, ndonjëherë merkantiliste, sapo ka shitur gjashtë nëndetëse të avancuara në Turqi – gjë që prish balancën delikate të fuqisë në Mesdheun lindor. Një Gjermani që refuzoi të ngrinte një gisht për të ndihmuar Greqinë gjatë krizës së euros, nuk ka gjasa të shqetësojë veten për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së Ballkanit në BE.
Ndërkohë, Presidenti Biden ka ndryshuar tërheqjen e Trumpit nga rajoni me një urdhër ekzekutiv duke këmbëngulur në mbështetjen e SHBA për marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare, që nga marrëveshjet e Dejtonit të vitit 1995, të cilat ndaluan sulmin serb ndaj Sarajevës.
Urdhri i ri ekzekutiv e vë theksin në vënien para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për masakrat masive dhe spastrimin etnik gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shërbeu si zëdhënës i shtypit i Slobodan Millosheviçit dhe rregullorja serbe e mediave nxit urrejtjen kundër fqinjit të saj të vogël.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë informuar gjithashtu se Uashingtoni dëshiron ta mbajë Ballkanin Perëndimor të lirë nga ndikimi rus, turk ose kinez.
Mënyra më e mirë për këtë do të ishte pranimi i vendeve të vogla midis Egjeut dhe Alpeve në BE. Greqia ka një rol kyç për të luajtur në këtë pikë. Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Kostas Frangogiannis, thotë se qëllimi strategjik afatgjatë i Greqisë është integrimi në Evropën e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai mbështetet nga Sllovenia, një nga dy kombet e ish-Jugosllavisë të detyruara nga marrëveshja e Jaltës për të jetuar nën sundimin komunist pas 1945. Sllovenia pati fatin të hyjë në BE në 2004. Vendi tjetër është Kroacia. Por pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor u la pezull, pasi BE-ja u tregua e paaftë për të ofruar ndonjë progres pasi shtetet anëtare të saj, të mbyllura në egoizmat e tyre kombëtarë, nuk mundën të pajtoheshin për një gjë të tillë.
‘Orbani i të varfërve’
Sllovenia tani merr presidencën gjashtëmujore të BE-së. Kryeministri i saj, Janesz Janša, vlerësohet në rajon si Viktor Orban i një të varfërve, por zyrtarët dhe diplomatët sllovenë janë të zgjuar dhe të përkushtuar për përfundimin e zgjerimit të BE, duke përfshirë territorin midis Sllovenisë në Alpe dhe Greqisë në Egje.
Qeveria sllovene po organizon një samit mbi Ballkanin Perëndimor në tetor.
Gjëja e fundit që i nevojitet rajonit është modeli i qeverisë autoritare joliberale me sulme ndaj gjyqtarëve dhe gazetarëve, sipas stilit të Orban dhe Janša. Por fakti mbetet se shtetet anëtare të BE-së që iu bashkuan BE-së 25 vjet më parë janë shumë më të vetëdijshme për gropën e Ballkanit Perëndimor në BE sesa vendet anëtare të BE-së të shekullit XX që nuk marrin vendim.
Në vitet 1990, Uashingtonit iu desh ta tërhiqte hekurin e BE-së nga zjarri në Ballkanin Perëndimor së pari me Marrëveshjen e Dejtonit dhe më pas në 1999 me NATO-n që ndërhyri për të ndaluar masakrat e tjera si ajo e Srebrenicës në Kosovë.
SHBA nën drejtimin e George Ë. Bush e keqmenaxhoi kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Bush deri atëherë ishte aq i diskredituar në Evropë pas katastrofës së Irakut, sa trajtimi i çështjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e SHBA-ve iu kthye kundër dhe i lejoi Putinit një hapje në të njëjtën kohë të pushtimit në Gjeorgji, gjë që e la Perëndimin në një këmbë.
Kështu, Greqia dhe Sllovenia kanë një rol për të luajtur.
Athina tashmë ka bërë një hap të madh përpara duke normalizuar marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Hapi tjetër dhe ai që do të ishte i mirëpritur në Uashington, do të ishte normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Kjo do të përcaktonte titujt botërorë dhe do të fitonte mbështetje nga Presidenti Biden dhe shumica e qeverive të NATO -s. Do të dërgonte një sinjal për Putinin dhe Erdoganin se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës.
Së fundi, do të ishte një sinjal për serbët se është koha për të kthyer faqen e luftërave të Ballkanit Perëndimor të viteve 1990. Ka një të ardhme të madhe për Serbinë si një komb dinamik evropian në partneritet me kombet e tij të mëparshme të lidhura në Jugosllavinë e epokës komuniste.
Duke punuar në partneritet me Greqinë, dhe si Franca dhe Gjermania pas vitit 1945, duke i ofruar dorën e pajtimit Kosovës, Beogradi mund të bëhet pjesë e zgjidhjes për Ballkanin Perëndimor dhe jo më një pengesë për rajonin që të afrohet me Evropën.
200 vjet pasi Greqia filloi procesin për t’u bërë plotësisht pjesë e Evropës, Athina duke punuar si partner dhe aleat i Uashingtonit mund t’i ndihmojë fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor të arrijnë të njëjtin qëllim.