Rritja e krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë, për të cilën shprehet shqetësimi i rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët, ka bërë që policia e këtij shteti të përgatisë një raport konfidencial të cilin do t’ia prezantojë Ministrisë së Drejtësisë holandeze . Ora News kontaktoi me Ambasadën holandeze në Tiranë në lidhje me këtë shqetësim, e cila u përgjigj se është në dijeni të artikujve në shtypin holandez për këtë raport por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar nga Ministria.
Shqetësimi i ngritur në lidhje me rikthimin e regjimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë nuk ka ende baza zyrtare.
Në përgjigjen e saj zyrtare, Ambasada holandeze në Tiranë, shprehet se ky raport, i zbuluar pjesërisht në mediat holandeze, ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe sigurisë por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar.
“Ne jemi në dijeni të artikujve të shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial nga policia holandeze për sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Ky raport aktualisht po studiohet nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë nuk ende nuk i është prezantuar Ministrisë zyrtarisht”.
Raporti u pa si një shqetësim nga aktorë politikë vendas, për të cilin reagoi me anë të një statusi në facebook edhe ish-presidenti Bujar Nishani, si dhe kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Shqetësimeve të tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët iu përgjigj Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i quajti këto aludime si politikë vere.