“Jeta që të kalon para syve” mesa duket nuk është thjesht një shprehje e krijuar nga njerëzit në situata që u rrezikojnë integritetin fizik. Por për herë të parë, shkenca ka provuar se vërtet jeta të kalon para syve në momentet e fundit.
Një grup studiuesish monitoruan aktivitetin e trurit të një një njeriu në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Pacienti në fjalë ishte një 87-vjeçar me epilepsi, i cili u mbajt në një pajisje elektroencefalografie (EEG.
Pacienti pati një atak në zemër dhe vdiq gjatë studimit, ndërsa ishte ende i lidhur me EEG. Kjo u dha studiuesve një mundësi unike për të regjistruar 15 minuta të aktivitetit të trurit të një personi që po vdiste.
Studiuesit zbuluan se kishte një rritje të valëve të trurit të njohura si lëkundjet gama, e cila zakonisht ndodh gjatë ëndrrave dhe rikthimit të kujtesës. Pra, një person që është duke vdekur, sugjeruan ata, mund të përjetojë momente të jetës që i rikthehen.
“Përmes gjenerimit të lëkundjeve të përfshira në rikthimin e kujtesës, truri mund të jetë duke kthyer një kujtim të fundit të ngjarjeve të rëndësishme të jetës pak para se të vdesim, të ngjashme me ato të raportuara në përvojat afër vdekjes”, tha Dr. Ajmal Zemmar i Universitetit të Louisville, Dr. autori i studimit, në një deklaratë për shtyp.
“Këto gjetje sfidojnë të kuptuarit tonë se kur mbaron saktësisht jeta”, thotë doktori.
Rezultatet e studimit u publikuan në “Frontiers in Aging Neuroscience”. Megjithatë, ky mbetet një rast i vetëm i marrë në shqyrtim dhe pacienti ka pasur një histori konvulsionesh dhe ënjtje të trurit, të cilat mund të ndikojnë në gjetje.
Megjithatë, hulumtimet e kaluara mbi aktivitetin e trurit të minjve treguan rezultate të ngjashme.
“Diçka që mund të mësojmë nga ky hulumtim është: megjithëse të dashurit tanë i kanë sytë mbyllur dhe janë gati të na lënë, truri i tyre mund të jetë duke rishfaqur disa nga momentet më të bukura që kanë përjetuar në jetën e tyre”, tha Zemmar.